Asnjë nga ministrat dhe zëvendësministrat në Qeverinë Haradinaj dhe në atë udhëhequr nga Avdullah Hoti nuk e kanë deklaruar pasurinë kur e kanë dorëzuar mandatin ndërsa në Qeverinë Kurti 1 vetëm 15 prej tyre e kanë bërë deklarimin e pasurisë kur e kanë dorëzuar detyrën zyrtare.
Por, pavarësisht mos deklarimit të pasurisë, të njëjtit nuk figurojnë në listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë, publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion.
Këto të dhëna janë publikuar në raportin e Lëvizjes FOL e cila ka monitoruar deklarimet e pasurisë për tri qeveritë e kaluara.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive në Lëvizjen FOL, derisa ka prezantuar raportin në një konferencë për media, ka thënë se Agjencia Kundër Korrupsion ka dështuar në zbatimin e ligjit për deklarimin e pasurisë.
“Nuk e kemi publikuar raportin pa pasur sqarime shtesë prej agjencisë, nuk ka pasur sqarime shtesë. Kemi kërkuar se me çfarë baze ligjore disa ministra, se në këtë rast janë ministrat e zëvendësministrat, kryeministrat fokus i këtij raporti, kemi kërkuar përgjigje nga ta se me çfarë baze ligjore disa persona janë amnistuar nga deklarimet siç e parasheh ligji me marrje të mandatit apo dorëzim të mandatit. Nuk ka pasur një përgjigje të tillë. Ata kanë thënë se vetëm lista që e kanë si agjenci që ua japin edhe zyrtarët kontaktues nëpër institucione vetëm ajo listë që kryesisht është me deklarim të rregullt që bëhet, se kush e ka deklaruar dhe kush nuk e ka deklaruar. Do të thotë agjencia me këtë rast ka dështuar në zbatimin e këtij ligji që e ka edhe obligim ligjor me mbikëqyr zbatimin e këtij ligji”, ka thënë Demolli.
Edhe
Pak orë deri në mbyllje të afatit, ende qindra zyrtarë publikë s’e kanë deklaruar pasurinë
Ndërsa Albana Hasani ka prezantuar të gjeturat kryesore të raportit sa i përket respektimit të afateve ligjore nga ministrat dhe zëvendësministrat në Qeverinë Haradinaj, Qeverinë Kurti 1 dhe Qeverinë Hoti.
“Nga 131 ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë Haradinaj vetëm 61 nga ta kishin respektuar afatet ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit në detyrë, dhe deklarimin e rregullt vjetor, mirëpo asnjëri nga ta nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e shkarkimit nga detyra apo me rastin e dorëzimit të mandatit. Nga 45 ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë Kurti 1 vetëm 20 nga ta e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit në detyra zyrtare, ndërkaq vetëm 15 nga ta e kanë bërë deklarimin e pasurisë me rastin e dorëzimi të detyrës apo me rastin e shkarkimit. Ndërkaq në fund, nga 77 ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë Hoti vetëm 32 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit në detyrat zyrtare, ndërkaq asnjëri prej tyre nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë me rastin e shkarkimit apo me rastin e dorëzimit të detyrave zyrtare”, ka thënë Hasani.
Në këtë raport nuk është i përfshirë deklarimi i rregullt vjetor që është publikuar së fundi nga Agjencia Kundër Korrupsion.
Lëvizja FOL ka dhënë disa rekomandime, ndër të tjera, ka kërkuar që të rritet vigjilenca e zyrtarëve publik në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e përfundimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra.
Gjithashtu Lëvizja FOL ka rekomanduar të largohet kategoria e mjekëve, profesorëve dhe asistentëve universitar nga lista e subjekteve deklaruese të deklarimit të pasurisë, që parashihet të bëhet në Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë.
Edhe
Mbi 1400 zyrtarë s’e kanë deklaruar ende pasurinë, edhe tri ditë afat
Sipas Lëvizjes FOL, ligji duhet të fokusohet në zyrtarët e lartë publik dhe në disa kategori të tjera që janë potencialisht më të ekspozuara ndaj korrupsionit.
Pas prezantimit të raportit, Lëvizja FOL ka rekomanduar gjithashtu që të largohet mundësia e pranimit të dhuratave të rastit nga zyrtarët publikë./ksp