Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet në seancën plenare me kërkesën e LDK-së që përmes një mocioni si pika të para për shqyrtim të renditen tri projektligjet që kanë të bëjnë me shndërrimin e FSK-së në ushtri, raporton KTV .
Avdullah Hoti ka kërkuar që këto tri projektligje të shqyrtohen të parat në mënyrë që të qëndrojnë ata në sallë. Por ky propozim del në votim pas përfundimit të pyetjeve parlamentare.
Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i cili ka qenë i vetmi deputet i Vetëvendosjes në sallë ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Në këtë krizë të thellë institucionale e shtetërore ia ofrojmë edhe njëherë mundësinë sovranit që t’ia tregoj drejtimin Kosovës” ka thënë Konjufca.
Ai tha se në këtë qeveri ka lakmi e pangopësi e pak interesa shtetërore.
Ndërkohë deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka akuzuar LDK-në e Vetëvendosjen për dështimin që të kalojë projektligji për kompleksin memorial në Prekaz.
“Dikush është i interesuar që kullat e Jasharëve të rrënohen e historia më e re të harrohet, sepse ligji në fjalë nuk përmban asgjë tjetër pos ruajtjen e trashëgimisë tonë historike. Kullat nga dita në ditë rrezikojnë të shemben. PDK pyet, kush po frikësohet nga komandanti Adem Jashari? PDK edhe sot bën thirrje te të gjitha partitë të bashkohen e ta votojnë ligjin sot, se nesër do të jetë vonë”, ka thënë Musliu.