Malishevë, 23 korrik - Shtëpia e Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, është objekti më i rëndësishëm kulturor në këtë komunë, dhe së shpejti do ta ketë të rregulluar edhe hapësirën e jashtme, përkatësisht oborrin dhe parkingun e saj, pasi sot kanë filluar punimet për rregullimin e tyre.
Fillimin e punimeve sot e ka parë nga afër edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili është njoftuar nga drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina, me punimet që do të kryhen në hapësirën jashtme të Shtëpisë së Kulturës.
Sipas drejtorit Morina, do të rregullohet hapësira e jashtme e oborrit, përfshirë edhe parkingun për vetura dhe i tërë oborri do të rregullohet, për t’iu përshtatur nevojave të këtij institucioni, ndërsa rregullimi i oborrit mundësohet nga buxheti komunal i Malishevës.
Përveç Shtëpisë së Kulturës, në këtë objekt është e vendosur edhe Qendra Rinore.