Me investime të mëdha në infrastrukturë e hapësira publike, Malisheva po ndryshon pamjen e saj. Sheshi i ri, rrugët e rregulluara dhe hapësirat e gjelbra janë bërë pika referimi për banorët, të cilët krenohen se qyteti i tyre tashmë mund të krahasohet edhe me kryeqytetin.
Vitet e fundit, qyteti i Malishevës është transformuar falë investimeve të shumta në infrastrukturë dhe përmirësimin e hapësirave publike.
Edhe sheshi kryesor i qytetit ka marrë pamje tjetër.
Sipas banorëve, ndryshimet e ndërmarra nga drejtoria urbanistike e Malishevës kanë ndikuar jo vetëm në përmirësimin e jetës së përditshme, por edhe në rritjen e krenarisë së tyre për qytetin.
“Nga viti 2013 projektet më kryesore kanë filluar nëpër fshatra. Janë shtruar çdo cep me asfalt, e janë rregulluar probleme të tjera si ujëra të zeza, etj. Projekti i fundit për të finalizuar gjithçka ka qenë qyteti. Ka disa pakënaqësi te qytetarët pse është lënë në fund qyteti, por personalisht ma merr mendja së pari të largohen nga ‘lloçi’ fshatrat, që të mos e bartin ‘lloçin’ në qytet. Projektet e fundit në qytetin e Malishevës janë megaprojekte. Populli i Malishevës ka shume virtyte, po i përmend vetëm tri prej tyre; janë mikpritës, janë shumë punëtorë, edhe nuk më ka bërë përshtypje në asnjë vend tjetër të shkoj, në Malishevë me fle shpirti”, tha banori Vllaznim Krasniqi.
Banorët gjithashtu theksojnë rëndësinë e projekteve që janë në të mirë të tyre.
“Projektet e kanë urbanizuar qytetin më shumë. Me Prishtinën nuk mund të krahasohet Malisheva, ndërsa me qytetet e tjera po. Malishevën e mbaj mend si fshat, e cila ka pasur infrastrukturë të dobët. Tash ta krahasosh si qytet është shumë më mirë”, tha banori Ismet Gashi.
“Malisheva kohë më herët ka qenë ndër komunat më të pazhvilluara, kemi qenë më të diskriminuarit. Ndërsa tash është një zhvillim shumë i madh. Qytetarët dhe kryetarët e komunave të tjera të vijnë të marrin shembull se si punohet për projektet e qytetit”, tha banori Milaim Buqaj.
Avdi Morina, drejtor i Urbanizmit në komunën e Malishevës, thotë se krahas sheshit, komuna ka investuar në disa rrugë, në ndriçimin publik dhe hapësirat e gjelbra, duke e bërë qytetin më mikpritës për banorët dhe vizitorët.
Por përkundër intensitetit të lartë të punës, disa prej projekteve në këtë komunë ende nuk kanë përfunduar.
“Këtu jem pranë sheshit të dëshmorëve, njëri prej projekteve më kapitale në historinë e Malishevës, e që lidhet me shumë projekte të tjera që janë realizuar brenda qytetit. Deri më tani janë realizuar shumë projekte. Mirëpo dy projekte që janë më kapitale që vlen të theksohet janë; tashmë ka përfunduar bulevardi ‘Ibrahim Mazreku’, dhe punimet mbrapa meje janë duke vazhduar në rregullimin e sheshit të dëshmorëve, e që përfshin infrastrukturën përcjellëse duke i trajtuar ujërat fekale dhe atmosferike. Mbrapa meje qëndrojnë edhe 240 parkingjet nëntokësore, sepse Malisheva ka vuajtur sa u përket parkingjeve këtë rast. Kjo infrastrukturë u ofron komoditet të gjitha shtresave shoqërore, duke filluar nga nxënësit, për të moshuarit. Mund të themi se Malisheva tashmë është transferuar me këto projekte dhe projekte të tjera. Malisheva me të vërtetë po merr një pamje që do ta kenë zili edhe Prizreni e Prishtina. Me mijëra qytetarë në sezonin e verës deri në orët e vona qëndrojnë në bulevardin “Ibrahim Mazreku”, duke pirë pije freskuese dhe duke u socializuar me njëri-tjetrin”, deklaroi Morina.
Për të gjitha këto projekte, Komuna e Malishevës ka shpenzuar mbi 20 milionë euro.
“Kem investuar edhe në shtëpinë e shëndetit, e cila ka marrë një pamje krejtësisht tjetër. Gjithashtu kemi investuar në shkolla, stadiumin e qytetit. Për 2 vjet e gjysmë, Malisheva po bën një revolucion në transformim të qytetit. Shumicën e infrastrukturës në fshatra e kemi të përfunduar. Në qershor të këtij viti po presim të përfundojë i tërë projekti. Në bazë të planit dinamik jemi para kohe. Vlen të theksohet se i tërë investimi kapital i Malishevës është nga taksapaguesit, qytetarët e Komunës së Malishevës. Investime po bëhen edhe në shtratin e lumit, shëtitore, etj. Presim mbështetje edhe nga niveli qendror. Projekti sheshi i dëshmorëve përfshin një shumë mbi 8 milionë euro, bulevardi 2.6 milionë euro. Ndërsa të gjitha investimet në qytet e kalojnë shifrën 20 milionë euro”, tha Morina.
Sipas banorëve, Malisheva po kthehet në një destinacion që duhet parë, një shembull se si investimet e duhura mund të transformojnë një qytet të vogël në një model për të ardhmen.