Arbëri

Fetahu: Duhet zgjidhje e ndërmjetme ku ruhen pozicionet e Qeverisë e mbyllet hendeku me ndërkombëtarët

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e vlerëson tepër të rëndësishme vizitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, në Kosovë, pasi ka thënë se ai ka ardhur më kërkesa të qarta dhe zgjidhje se si BE-ja dëshiron ta trajtojë krizën në veri.

Ai konsideron se sa më shumë konsulta, vizita e presione, kthimi në tavolinën e bisedimeve është më i mundshëm.

“Është mundësi e mirë që të gjendet një zgjidhje sepse kur ka diskutime dhe më shumë opsione, mund të vijë te një zgjidhje apo përafrim të pozicioneve. Nga kjo vizitë pres që nëse nuk ka dakordim total, pres të ketë përafrim të pozicioneve BE-Kosovë dhe BE-Serbi”, ka thënë ai në "60 Minuta".

Fetahu ka thënë se nuk mund të vazhdohet me qëndrimet karshi bashkësisë ndërkombëtare për kohë të gjatë, pasi siç ka theksuar, dëmtohet pozicioni i Kosovës. Megjithatë, ka shtuar se duhet të gjendet rrugë e ndërmjetme ku ruhen edhe pozicionet e Qeverisë vendore.

“Ky hendeku i krijuar në aspekt afatgjatë e dëmton pozicionin e Kosovës në dialog sepse nuk mund të vazhdohet pafundësisht me përballje dhe hendek të qëndrimeve me vendet që e njohin pavarësinë e Kosovës. Një rrugë e ndërmjetme ku ruhen pozicionet e Qeverisë e Kosovës apo aspekti kushtetues e ligjor i vendit dhe me kompromise brenda kornizës së normales. Në atë pjesë mund të jetë një zgjidhje e ndërmjetme që mund ta shtensionojë situatën në terren”.

Fetahu ka theksuar se reagimi i Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka qenë i pabalancuar në rastin e Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse e shohim nga momenti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit reagimi ka qenë i pabalancuar, në kuptimin që nuk është fajësuar Serbia për mosimplementim të marrëveshjes, nuk është fajësuar se pse nuk po merr pjesë në zgjedhje ndonëse i kanë pranuar zgjedhjet, nuk ishte reagimi i njëjtë kur tha se nuk e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit, kur Serbia tha se do t’i zgjedh vetëm pjesët që asaj i takojnë, kur nuk e nënshkroi marrëveshjen në Bruksel. Është tashmë ngjarje gjeopolitike që Serbia ëshët duke u përafruar me BE-në dhe SHBA-në për shkak të krizës”, ka deklaruar ai.

Sipas Fetahut, duhet të gjendet një zgjidhje e tretë që t’i japë fund tensioneve në veri dhe të vazhdohet drejt normalizimit përmes dialogut.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk duron qoftë edhe një krizë të vogël në Kosovë. Por në anën tjetër edhe status quoja e pafundme nuk po funksionon. Duhet të jetë një zgjidhje e tretë që i shoshitë këto eskalime, e ka një plan që është i balancuar. Dalja nga status quoja, edhe në aspektin e ligjshmërisë e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, dhe thyerja e status quos në dialog, është e domosdoshme për ta çuar procesin përpara drejt normalizimit, edhe pse nuk po duket në sfond edhe nga deklaratat e presidentit serb, edhe nga deklaratat e Qeverisë së Kosovës”.