Arbëri

Fermerët në Lipjan protestojnë, thonë se u diskriminuan

Dhjetëra fermerë të Komunës së Lipjanit kanë protestuar para objektit të Komunës mëngjesin e së martës. Ata po pretendojnë se Komuna i ka diskriminuar në procesin e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga vërshimet që kanë ndodhur në fillim të këtij viti.

Sipas fermerëve, Komuna kishte përpiluar një listë të fshehur prej 19 fermerëve të cilët i kanë përfituar mjetet e dëmeve, ndërkohë janë refuzuar gjithsejtë 47 fermer të tjerë të cilët kanë pësuar dëme të mëdha në sferën e bujqësisë.

“Kur e kanë ba verifikimin nuk janë marrë me listat tona hiç, i kanë bërë prej 19 personave të tjerë, e kanë bërë një listë të veçantë dhe e kanë dërguar në Ministrinë e Bujqësisë. Neve 47 persona na kanë anashkaluar”, tha fermeri Benjamin Jashanica.

“19 persona prej Imri Ahmetit janë në listë, po dëshirojmë të dimë shkaqet dhe t’i bëjnë publike se kush janë ata 19 bujq, sepse bujqit e vërtetë janë këta me nga 80 hektarë e një hektar serra, përndryshe nuk kemi me i ndal protestat në mënyrë paqësore”, tha fermeri Kosovë Kelmendi.

Haqif Rrustemi, shef i zjarrfikësve njëherësh kryesues i komisionit për vlerësimin e dëmeve, ka thënë se niveli qendror gjatë këtij vitit ka ndarë vetëm 70 mijë euro për kompensimin e këtyre dëmeve.

“Sektorët e tjerë të dëmtuar siç janë ekonomitë bujqësore, tokat bujqësore apo fermerët, infrastruktura publike apo bizneset, nuk ka pasur asnjë cent të konfirmuar. Vendimi i qeverisë kishte thënë aso kohe se dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë do të kompensohen nga buxheti i komunës dhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, tha Rrustemi.

“Ky komision nuk ka të bëjë me komisionin i cili është caktuar për rastin e veçantë dhe gjatë gjithë vitit ne merremi me lëndë. Lëndët dalin, komisioni i vlerësojnë në terren dhe mbi bazën e atij vlerësimi ne i përgatitim edhe sipas planit të gjelbër dhe çdo gjashtë muaj i adresojmë te Ministria e Bujqësisë”, tha Shefqet Amerllahu, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Lipjanit.

Sipas Amerllahut, Ministria e Bujqësisë i vlerëson të gjitha lëndët dhe varësisht prej buxhetit i kompenson ato.

{gallery}