Arbëri

Fermerët e Rahovecit me probleme të mëdha për aplikim për subvencione

Fermerët e Rahovecit për përballen me probleme të shumta në përpjekjet e tyre për sigurimin e dokumentacionit për aplikim për subvencione në kuadër të pagesave direkte që bën Ministria e Bujqësisë.

Më 8 shtator është hapur thirrja për aplikim dhe fermerët, të cilët kanë afat 21 ditë.

Fermerët po e konsiderojnë të vonuar thirrjen për aplikim e cila iu ka nxjerrë telashe të mëdha.

Gëzim Morina, njëri nga fermerët e Komunës së Rahovecit, i cili ndër disa kultura bujqësore për të cilat mund të aplikojë, ka pasur të mbjella edhe 20 hektarë me grurë, e ka problem edhe lërimin e sipërfaqes tokësore e cila i nevojitet për kultura të tjera bujqësore.

Sipas llogarive komisioni i cili e verifikon gjendjen e aplikantëve mund të dalë në terren gjatë muajit nëntor dhe në rast se ai nuk e gjen dëshminë se toka ka qenë e mbjellë me grurë, mund t’i refuzohet aplikimi dhe ta fusë në listë zë zezë fermerin si mashtrues.

"Mua toka më duhet për mbjelljen e re të grurit, ose kulturave të tjera dhe s'mund ta lë pa e lëruar tokën", thekson ai.

Edhe fermeri tjetër Bërhan Kelëmendi ka të njëjtin problem, por ai ka probleme edhe me dokumentet që kërkohen për kontraktuesit e tij të cilët gjenden jashtë vendit.

"Unë e kam marrë tokën nga dikush që e ka pasur djerrinë dhe e kam punuar, tash kërkohen dokumente edhe për ata dhe ata e dërgojnë p.sh. një foto letërnjoftimi në viber, këtu nuk pranohen, s'dijmë çka të bëjmë", shprehet Kelmendi duke veçuar edhe problemet me dëshmimin e trashëgimisë bazuar në vijën e gjakut.

Për probleme të ngjashme të mërkurën për KOHËN kanë folur edhe disa fermerë që po prisnin para zyrave të Drejtorisë së Bujqësisë për të dorëzuar dokumente.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku i ka pohuar problemet që i kanë ngritur fermerët e kësaj komune.

"Problemi kryesor është se thirrja për aplikim është bërë me vonesë të madhe kur shumë kultura bujqësore kanë përfunduar", ka theksuar Duraku. "Problemet më të mëdha i kanë fermerët që aplikojnë për sipërfaqe gruri, Ministria kërkon dëshmi edhe për sipërfaqe, edhe për rendiment, më herët është kërkuar vetëm për sipërfaqe dhe është paguar 150 euro për hektarë e tash paguhet 75 euro për hektar. Fermerët blegtor për shembull nuk e kanë dorëzuar grurin nëpër pika grumbulluese por e kanë shfrytëzuar për bagëtinë e tyre pas korrjes së grurit në korrik, ndërkohë që thirrja për aplikim ka dalë në shtator dhe si pasojë atyre iu mohohet e drejta e tyre për subvencion pasi nuk e kanë dëshminë e dorëzimit të grurit në mulli apo pika grumbulluese".

Problem tjetër për fermer që përmend drejtori i Bujqësisë, është me zonat kadastrale me komasacion ku si pasojë e digjitalizimit të parcelave ka mospërputhje të shumta në programin për digjitalizim, e ku zonat e prekura janë fshatrat Fortesë, Xërxë dhe Celinë ku së bashku kanë mbi 600 fermerë të cilëve ju mohohet e drejta e aplikimit.

"Kemi pastaj problemin me kulturat e qepës, patates, etj. që janë vjelë prodhimet dhe bujqit i kanë lëru arat dhe ata nuk guxojnë me apliku pasi kur del kontrolli që sipas gjasave del në nëntor, e gjen gjendjen tjetër dhe fermeri mund të futet në listë të zezë si mashtrues", tërheqë vëmendjen Duraku.

"Shkaku i vonesës së thirrjes për aplikime shumë fermerë po heqin dorë nga aplikimi. Në Komunën e Rahovecit janë diku 3100 fermerë aktiv që aplikojnë dhe deri tani kanë aplikuar rreth 1600 fermerë, kryesisht nga sektori i vreshtarisë që fatbardhësisht nuk kanë shumë probleme", vë në pah ai.

Duraku ka bërë me dije se për të gjitha këto probleme iu ka shkruar dhe i ka njoftuar në mënyra të ndryshme duke filluar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe të gjithë vartësit e tij dhe drejtues të agjencive, por nuk ka marrë përgjigje nga askush deri të mërkurën

Në lidhje me problemet që kanë dalë me aplikimin për subvencione një grup fermerësh nga Rahoveci, e sipas tyre edhe nga pjesë të tjera të Kosovës nesër do të udhëtojnë me traktorët e tyre dhe do të protestojnë para objektit të Ministrisë së Bujqësisë.