Kjo rregullore përcakton mbrojtjen nga dhuna fizike dhe dhuna mendore, abuzimi, ndëshkimi trupor, keqpërdorimi, shfrytëzimi, neglizhimi, apo ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve
Gjatë kohës së fundit, në qytetin e Ferizajt po vërehet një numër mjaft i madh i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë. Ndërkohë, institucionet komunale kanë hartuar një rregullore të veçantë, me qëllim të përkujdesjes dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Kjo rregullore përcakton mbrojtjen nga dhuna fizike dhe mendore, abuzimi, ndëshkimi trupor, keqpërdorimi, shfrytëzimi, neglizhimi apo ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Në anën tjetër, në këtë komunë ekzistojnë edhe disa familje strehuese të cilat përkujdesen për fëmijë të braktisur, siç është edhe familja e Ymrije Selmanit nga fshati Dardani. Selmani, në mënyrë vullnetare, prej 16 vjetësh, në ambientin familjar po trajton fëmijë pa përkujdesje prindërore. Ajo deklaron se aktualisht ka të strehuar tre fëmijë me aftësi të kufizuara, andaj kërkon mbështetje institucionale. “Shteti duhet të kujdeset më së shumti për këta fëmijë dhe për ne si familje, sepse ne kemi edhe fëmijë të familjes të cilët i mbajmë së bashku me të strehuarit. Pra, ne nuk i ndajmë fëmijët, me thënë këta janë të strehimit e këta janë të mitë, këta kanë me u ulë me një sofër, me një shtrat, me një lodër me krejt së bashku. Po duhet shteti t’i shikojë dhe të kujdeset për këta fëmijë, por jo t’i lërë në rrugë sepse kjo është tmerr”, ka thënë Selmani. Ajo bën me dije se fëmijët e braktisur i strehon në mënyrë vullnetare, ndërkohë se së fundi Komuna e ka përkrahur me një subvencion për ta kaluar më lehtë situatën e pandemisë. Ajo kërkon edhe nga niveli qendror t’i përkrahë më shumë këtë kategori të fëmijëve dhe këto familje, të cilat në mënyrë vullnetare po kujdesen për këtë kategori.
Në anën tjetër, Bekim Ademi, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, ka thënë se duke e parë gjendjen në përgjithësi kanë hartuar një rregullore të re e cila përcakton mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe e cila përcakton kompetencat e institucioneve për trajtimin e tyre. “Kjo rregullore është jashtëzakonisht e rëndësishme për arsye se mbron fëmijët nga të gjitha format e dhunës, qofshin ato mendore, psikike, gjatë shkollimit të tyre, në të gjitha fazat e zhvillimit mbrohet fëmija sipas kësaj rregulloreje”, ka thënë Ademi. Sipas tij, kjo rregullore përcakton kompetencat e Komunës së Ferizajt në raport me fëmijët. “Obligohen kryetari i Komunës, drejtori i Shëndetësisë, si dhe institucionet e tjera që janë mekanizma dhe kanë për detyrë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Përveç kësaj, përshkruhen edhe detyrat e tjera nëpër institucione shkollore dhe përshkruhen detyrat e zyrtarëve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në kuadër të Qendrës për Punë Sociale”, ka thënë më tej Ademi.
Kjo rregullore është përkrahur e miratuar edhe nga këshilltarët e Kuvendit Komunal në mbledhjen e fundit, e cila është mbajtur të martën. Ndërkaq, sipas Rregullores, Komuna e Ferizajt ka për obligim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në përgjithësi për një mirëqenie më të mirë dhe obligohet të marrë masa për të krijuar siguri në ambiente shkollore, në rrugë dhe mjedis. “Kjo rregullore zbatohet për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve në të gjitha fazat, për të gjitha masat, veprimet dhe vendimet që kanë të bëjnë me fëmijët nga të gjitha subjektet për mbrojtjen e tyre në Komunën e Ferizajt. Kjo në përputhje me obligimet e dala nga Ligji për mbrojtjen e fëmijës, këtë rregullore si dhe legjislacionin përkatës në fuqi dhe zbatohet për fëmijët me shtetësi të Kosovës, pa shtetësi, të paregjistruar, azilkërkues, refugjatë, ose me shtetësi të huaj brenda territorit të Komunës së Ferizajt”, thuhet në Rregullore. Sipas kësaj Rregulloreje përfaqësuesit ligjorë janë të obliguar në radhë të parë të përkujdesen për sigurimin e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim sigurimin e mirëqenies emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës. “Organet e administratës komunale dhe profesionistët për mbrojtjen e fëmijës në të gjitha veprimet dhe vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën duhet ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar integrimin e fëmijës në familje dhe shoqëri dhe të bëjnë çdo përpjekje të promovojnë mirëqenien e fëmijës në suaza të familjeve të tyre biologjike përmes ofrimit të përkujdesjes, mbrojtjes dhe këshillimit social dhe, në raste të jashtëzakonshme, asistencë sociale”, thuhet midis të tjerash në Rregullore.