Edukimi i fëmijëve në Kosovë po bëhet nëpërmjet dhunës, ka konstatuar një raport i Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kjo, sipas përfaqësuesve të organizatave, po ndodh për shkak të moszbatimit të legjislacionit që e rregullon këtë fushë. Për këtë qëllim është publikuar programi për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, objektiva kryesore të të cilit janë sensibilizimi, mobilizimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës
Dhuna është ende forma dominuese për edukimin e fëmijëve nga familjet në Kosovë, ka konstatuar një raport i Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Pavarësisht ligjeve në fuqi që janë vlerësuar të mira nga ata që merren me të drejtat e fëmijëve, sipas tyre, në praktikë ato nuk po gjejnë zbatim.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës KOMF, Donjeta Kelmendi, thotë se ende ka një shkallë të lartë të përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe përfshirjes së tyre në punë të rënda.
“Kosova ka problem me zbatimin e legjislacionit, në këtë rast me legjislacionin për mbrojtjen e fëmijës dhe ka problem edhe me zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës për çka edhe jemi sot këtu, që është lansuar edhe ky program për ngritjen e kapaciteteve me qëllim zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës. Duhet përmendur që investimet në fushën e mbrojtjes së fëmijës janë shumë të ulëta”, ka theksuar Kelmendi. “Kur flas për investimet duhet të kemi parasysh që të gjitha këto ligje, por edh0e Ligji për mbrojtjen e fëmijës duhet të sigurohet një kosto buxhetore, financim për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, që nënkupton se duhet të ketë investime në rritjen e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës, rritjen e numrit të stafit sidomos në komuna, pra rritjen e burimeve njerëzore, profesionistë të rinj, punësimin e tyre për mbrojtjen e fëmijës në të gjitha dikasteret, duke përfshirë edhe Qendrën për Punë Sociale, e cila është edhe institucioni kryesor i mandatuar për mbrojtjen e fëmijës”.
Sipas Kelmendit, ka një shkallë të lartë të përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe përfshirje të tyre në punë të rënda.
“Duhet përmendur një të dhënë që është shqetësuese sa i përket dhunës ndaj fëmijëve ku, sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rreth 72 për qind të fëmijëve kanë deklaruar që edukohen përmes formave të dhunshme brenda familjeve të tyre, brenda mjediseve familjare. Fëmijët me aftësi të kufizuar janë po ashtu një pjesë që nuk gëzojnë të drejtat e tyre në tërësi ashtu sikurse i kanë të garantuara me Kushtetutë dhe me ligje. Kanë vështirësi të mëdha në qasje në shërbime shëndetësore, shërbime sociale, por edhe në përfshirjen e tyre në arsimin cilësor”, është shprehur Kelmendi. “Pastaj fëmijët të cilët janë viktima të përdorimit të drogave, duhet të them që kemi një mungesë shumë të madhe të shërbimeve, qoftë në parandalim të kësaj si dukuri, por edhe në rehabilitim të fëmijëve që përdorim droga”.
Aq pesimist nuk është shprehur drejtori i Zyrës për qeverisje të mirë, Habit Hajredini. Pas publikimit të programit për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, ai ka thënë se janë krijuar strukturat adekuate për mbrojtjen e fëmijës në të gjitha nivelet.
“Ajo që do t’i ndihmojë kësaj që ju po e citoni që ka çalime, që ka pengesa, 34 ekipe për mbrojtjen e fëmijës janë krijuar në komunat e Kosovës, janë duke u krijuar planet e punës, 8 plane, 8 komuna i kanë hartuar dhe aty parashihet në evitimin e këtyre problemeve, sepse ne e dimë që fëmijët që janë në rrugë, kudo që i hasim i shohim më shumë në komuna të ndryshme dhe autoritetet duhet të marrin veprime. Më herët do të thotë nuk ka pasur një strukturë të tillë, nuk ka pasur një mekanizëm të tillë. Kjo është ajo që ka çalua më herët”, ka thënë Hajredini, sipas të cilit me Ligjin e ri që ka hyrë në fuqi në vitin 2020, janë të obliguar që të formojnë ekipet për të drejtat e fëmijëve në nivel komunal.
“Ajo që ndoshta do të duhet me pasë fokus edhe më të madh, natyrisht që ne e dimë që është rritur ajo gama e përgjegjësisë së punëve edhe te sektori i policisë në bashkëpunim me strukturat lokale, sepse kur shohim fëmijët në rrugë, ata nuk mund të themi se të gjithë janë nga Kosova. Ata mund të vijnë edhe nga vendet e rajonit, nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi. Ka marrëveshje me shtete përkatëse në mënyrë që të ketë komunikim, të mos ketë dëbim aty për aty”, ka theksuar ai.
Ndërkaq Dren Rexha, specialist i politikave sociale në UNICEF në Kosovë, ka thënë se mbrojtja e fëmijëve nënkupton parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit, abuzimit, neglizhencës, praktikave të dëmshme dhe dhunës ndaj tyre.
“Pasojat e shkeljeve të mbrojtës së fëmijëve janë katastrofike, të thella, të qëndrueshme dhe shpesh vdekjeprurëse. Por, ky dëm është i parandalueshëm. Progres mund të arrihet përmes vullnetit politik, për përmbushjen e të drejtave të fëmijëve, ndryshimit shoqëror dhe të strategjive të parandalimit dhe reagimit”, ka thënë ai.
Objektivat kryesore të programit për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës janë sensibilizimi, mobilizimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës në nivel qendror për të zbatuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijës, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e fëmijës.