Fëmijët e shkollës së futbollit të klubit “Trepça” kanë protestuar sot kundër privatizimit të fushës së futbollit “Xhevat Jusufi – Xheki” në Mitrovicë. Ata druajnë se nëse kjo fushë do të privatizohet, atëherë do të mbeten në rrugë për shkak se nuk do të mund t’i përballojnë çmimet e larta që do të aplikohen.
Avni Haxhiu, koordinator i klubit “Trepça”, ka bërë të ditur se fusha “Xhevat Jusufi” është ndërtuar nga bashkësia evropiane dhe është e destinuar për komunitete.
Sipas tij, në ofertën publike për privatizim, potencohet dhënia e fushës për mirëmbajtje. Ai potencoi se është krejtësisht e palogjikshme që të investohen 750 mijë euro për mirëmbajtje, siç ka deklaruar klubi tjetër, kur dihet fakti se siç u shpreh ai, për ndërtimin e një fushe të re duhen 350 mijë euro.
Haxhiu dyshon se kjo po bëhet me qëllim nga ana e Komunës, për përfitime të njerëzve të caktuar, por nuk ka përmendur emra.
“Fusha ‘Xhevat Jusufi’, e cila është ndërtuar nga bashkësia evropiane dhe e destinuar për komunitete, është shpallur në ofertë publike për privatizim ose dhënie në qira për 40 vjet. Në ofertë ka qenë për mirëmbajtje, do të thotë është dhënë fusha për mirëmbajtje. Ne kemi konkurruar si klub, pa dashur përfitime dhe pa asnjë qëllim përfitimi, kemi kërkuar që të na jepet për mirëmbajtje si klub, sepse kemi shkollën me 300 fëmijë dhe ku kjo fushë është e domosdoshme për neve. Në momentin kur janë hapur ofertat, e jona dhe e një klubi tjetër, është thënë se do të investohet në fushë 750 mijë euro. Dhe atëherë nuk e di a është kjo vërtet për mirëmbajtje apo çka. Ndërtimi i fushës kushton 350 mijë euro, kurse në ofertë del se investime do të bëhen 750 mijë, nuk e rrok logjika. Dhe kjo protestë është një përkujtim për asamblistët, të cilët pritet që të enjten ta votojnë privatizimin e kësaj fushe, t’i përkujtojmë se fëmijët mbesin në rrugë”, ka thënë Haxhiu.
Trajneri i klubit “Trepça”, Emin Baliqi, theksoi se qëllimi i protestës së sotme është t’i bindin asamblistët që mos ta votojnë privatizimin e kësaj fushe gjatë seancës së tyre që do të mbahet të enjten.
“Thjesht, kjo është një protestë që të binden asamblistët që të votojnë kundër asaj që fusha të jepet në shfrytëzim”, tha ai.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mohuar kategorikisht se me dhënien e fushës një kompanie tjetër, fëmijët do të mbeten në rrugë. Sipas tij, kompania që është vlerësuar nga komisioni si më e mira, do të investojë jashtëzakonisht shumë, ndërsa asnjë ekip dhe fëmijë nuk do të mbetet në rrugë, por do të vazhdojnë trajnimet në të njëjtën fushë për një shumë simbolike parash.
Ai ka përmendur shumën mbi 80 mijë euro, si borxh që i është lënë komunës për rrymë dhe ujë në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’, për të cilin tha se është krijuar nga klubi ‘Trepça’, që e ka menaxhuar deri tash këtë fushë.
“Kjo është një fushë e futbollit e cila ka qenë në konkurs të hapur dhe ku kanë aplikuar disa kompani të ndryshme dhe sipas raporteve të komisionit është vlerësuar një që do të jetë pasnesër në kuvend. Kjo kompani që është vlerësuar si më e mira do të bëjë një investim të jashtëzakonshëm sesa kompanitë tjera të cilat janë deklaruar. Njëkohësisht, ju bëj me dije se asnjë kompani që do të zgjidhet, pavarësisht cila, nuk do t’ju ndalojë ushtrimet e secilit ekip në Mitrovicë… Dua të cek se kompania e mëparshme që ka pasur në menaxhim stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’, neve na ka lënë një borxh 69 mijë e 387 euro, që nuk e ka paguar ujësjellësin, njëkohësisht kanë lënë borxh edhe rrymën 11 mijë e 567 euro”, sqaroi Bahtiri.
Ndërkaq, koordinatori i klubit të futbollit “Trepça”, Avni Haxhiu, ka mohuar që ky borxh u përket atyre, duke thënë se borxhi është krijuar në periudhën e pasluftës kur në stadium kanë jetuar banorë, ndërsa prej vitit 2013 stadiumi është menaxhuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.