Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fëmijët e vrarë gjatë luftës përkujtohen me ndezjen e 1133 qirinjve

Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës para Teatrit Kombëtar të Kosovës janë ndezur 1133 qirinj, për t’i përkujtuar fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti u ka thënë fëmijëve të pranishëm në ceremoni se dhimbja është e thellë por lumturia e fëmijëve i mund të gjitha.

“Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella, është e pafundme dhimbja, mirëpo gëzimi dhe lumturia juaj nuk ka pikëllim që nuk e mund. Kur ne ju shohim juve zemra na bëhet mal”, ka thënë ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vdekja e fëmijëve, ka qenë sakrifica më e madhe për lirinë.

“Për secilin prej nesh nuk ka gëzim më të madh se kur shohim potencialin e jashtëzakonshëm që e keni. Sot jemi këtu për të përkujtuar 1133 fëmijë që kanë dhënë jetën në mënyrë që sot ne të jetojmë të lirë në shtetin tonë të dashur. Kujtimi për ta do të rrojë përherë, sepse kjo ka qenë sakrifica më e madha për lirinë tonë”, ka deklaruar ajo./KP