Arbëri

Fejzullahu: Të gjitha kompanitë u ndëshkuan për tregti me operatorë të palicencuar

Në seancën e së mërkurës Fejzullahu ka thënë se monitorimi nga ZRRE-ja ka nisur më 2022 dhe se janë ndëshkuar të gjitha kompanitë si pasojë e tregtisë me operatorë të palicencuar. Gjatë dëshmisë Fejzullahu ka folur edhe për insistimin e kompanive të ndëshkuara që të vazhdojnë tregtimin me operatorë të palicencuar

Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të mërkurën në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Gjatë dëshmisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Fejzullahu ka thënë se procesi i monitorimit nga ZRRE-ja nisi më 2022 në kohën e krizës energjetike kur u vërejtën devijime nga sistemi. 

Sipas tij, si pasojë e këtij monitorimi u ndëshkuan të gjitha kompanitë e licencuara për shkak të tregtimit me operatorë të palicencuar.

“Po sa kemi marrë informatën që kemi pasur keqkuptime nga të licencuarit për mundësinë e operimit me njohje reciproke të licencave i është rekomanduar nga ana e ZRRE-së që ky proces të ndërpritet, mirëpo duhet të jemi të sinqertë që ky proces nuk mund të bëhet menjëherë, meqenëse ka pasur të nënshkruara kontrata edhe nga ana e KOST-it edhe nga ana e KEDS-it, edhe nga ana e KEK-ut, edhe nga ana e KESCO-s me këta operatorë dhe është kërkuar një afat i nevojshëm për shkëputjen e këtyre kontratave të cilat ishin në fuqi”, ka thënë Fejzullahu.

Fejzullahu nuk ishte në gjendje të përgjigjej në pyetjen e prokurorit Dren Paca se sa herë ishin rekomanduar kompanitë si KEK, KESCO, KOSTT dhe KEDS që të mos tregtonin me operatorë të palicencuar. 

Ka thënë se të gjitha janë të evidentuara në raporte.

Gjatë dëshmisë Fejzullahu ka folur edhe për insistimin e këtyre kompanive që të vazhdojnë tregtimin me operatorë të palicencuar.

“Të gjithë të licencuarit kanë pretenduar që kanë të drejtë të vazhdojnë tregtimin me këta operatorë, sipas këtij neni të licencës apo sipas këtij neni të ligjit dhe ka pasur disa takime profesionale mes departamenteve profesionale të ZRRE-së, KOST-it, KEK-ut, KEDS-it dhe KESCO-s, ku është konstatuar nga departamenti profesionale që një mundësi e tillë nuk është e mundur sipas legjislacionit në fuqi pa nënshkrimin e një memorandum mirëkuptimi mes dy rregullatorëve respektivë”, ka thënë Fejzullahu.

Seanca e radhës për rastin ndaj Nagip Krasniqit pritet të mbahet në muajin tetor.