Arbëri

Familjarët e pacientit sulmojnë fizikisht mjekun kujdestar në Spitalin Rajonal të Ferizajt

Foto: Koha

Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar dy banorë të fshatit Rahovicë (I.O. dhe N.O) për shkak se kanë sulmuar fizikisht mjekun kujdestar në Spitalin Rajonal në Ferizaj, Sefedin Fazliu.

Ngjarja ka ndodhur ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes, derisa një familjar i të arrestuarve po trajtohej në këtë spital pas një aksidenti në komunikacion, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndaj të arrestuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh si pasojë e sulmit fizik ndaj personit zyrtar në vendin e punës.

Drejtori i Spitalit Rajonal në Ferizaj, Jeton Zeqiri, ka kërkuar nga organet përkatëse zbardhjen e rastit, ndërkaq sulmuesit të marrin dënimin e merituar.

“Pas një aksidenti në komunikacion, një pacient është shtrirë në spital dhe ka pasur gjakrrjedhje për hunde, ndërkaq doktori e ka trajtuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Doktori kujdestar ka dashur t’ia ndërrojë vendin pacientit për një trajtim më të mirë, ndërkaq dy djemtë e tij familjarë kanë keqkuptuar dhe e kanë sulmuar fizikisht mjekun tonë. Doktori ynë, Sefedin Fazliu, ka pësuar lëndime mjaft të rënda, prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë ta zbardhin sa më shpejt të gjithë rastin”, ka thënë Zeqiri. Sipas tij, edhe gjatë muajit të kaluar janë sulmuar dy infermierë në këtë spital derisa po e kryenin punën e tyre në mënyrën më të mirë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)