Arbëri

Familja, shkolla dhe komuniteti – baza kundër ekstremizmit të dhunshëm

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit të shpie në terrorizëm mbetet një prej sfidave në Kosovë, ndërsa fokusi kryesor në periudhën e mëtejshme duhet të orientohet kah forcimi i angazhimit të familjes dhe komunitetit në përballje me këtë ideologji. Veprimet e koordinuara ndër-institucionale dhe të shoqërisë civile duhet të orientohen kah zvogëlimi i ndikimit të kësaj ideologjie, duke i kushtuar vëmendjen e plotë në shtrirjen e angazhimit të familjes, komunitetit, autoriteteve lokale e qendrore, Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe shoqërisë civile në shmangien e kësaj sfide.

Kështu u konstatua, ndër të tjera, në Tryezën e sotme të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC dhe Rrjeti i Organizatave Partnere kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Promovimin e Sundimit të Ligjit, në Prishtinë.

Burim Ramadani, drejtor i SPRC-së, theksoi se përkundër kornizës ligjore të avancuar dhe angazhimit të institucioneve të zbatimit të ligjit e të drejtësisë, fokus më të fuqishëm duhet vendosur në masat e buta në përballje me këtë ideologji.

“Familja dhe komuniteti duhet të vendosen në thelb të përpjekjeve për përballjen me ekstremimzin e dhunshëm. Qasja duhet të jetë komplete dhe jo e izoluar, duke përfshirë këtu bashkërendimin e aktiviteteve midis institucioneve qendrore e lokale, BIK-ut dhe shoqërisë civile, sidomos në nivel komunal”, tha ai.

Sipas Ramadanit, SPRC-ja dhe Rrjeti kanë zbatuar deri më tash më shumë se 50 aktivitete në pesë komuna të Kosovës (Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Kaçanik), ndërsa janë ngritur kapacitetet tematike të më shumë se 480 aktivistëve të rinj në këto komuna.

Miranda Jolicoeur, nga USAID-i në Kosovë, theksoi partnereitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) me Kosovën në luftimin e ekstremimit dhe ndihmën që ambasada amerikane i jep Qeverisë në implementimin e Strategjisë.

“Nuk ka vetëm një shkak apo faktor, por as edhe vetëm një zgjidhje të vetme në luftimin e këtyre fenomeneve. Organizatat Partnere e njohin komunitetin e tyre më mirë se ne, ju jeni ata që dini të identifikoni shkaqet dhe faktorët e përfshirjes së ekstremizmit të dhunshëm në komunitetin tuaj. Ne kemi besim se ju do të jeni monitorues të mirë të implementimit të Strategjisë”, tha Jolicoeur.

Sabri Bajgora, kryeimam në Bashkësinë Islame të Kosovës, tha ndër të tjera se në vazhdimësisë duhet të bashkërendohen aktivitetet. Bajgora theksoi se nuk është vetëm xhamia vendi ku mund t’i adresohet xhematit, “ndërsa duhet të jemi të vetëdijshëm pasi që jemi të prekur nga sindroma e ekstremizmit.

“Islami tentohet të rrëmbehet nga ekstremistët, të cilët faktikisht nuk kanë fe. Ata që bëjnë krime në emër të fesë Islame nuk janë dhe nuk kanë të bëjnë me Islamin. Këta persona e kanë shtrembëruar idenë e Islamit”, tha Bajgora.

Kryeimami Bajgora tha se shqiptarët njihen botërisht për tolerancë fetare dhe vetëm të bashkuar mund ta kalojmë të keqen. “Të bashkëpunohet ngushtë ndërmjet njëri-tjetrit për të depërtuar në familje, tek të rinjtë, shkollarët apo tek gratë”, tha Bajgora.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit që implementohet nga SPRC dhe Organizatat Partnere, “Promovimi i angazhimit të shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, i mbështetur nga USAID/ATRC.

Rrjeti i Organizatave Partnere që administrohet nga SPRC përbëhet nga “Syri i Vizionit” dhe KVRL në Pejë, “Mundësia” dhe “Me Dorë në Zemër” në Mitrovicë, “Aponia” dhe “AgroEko” në Gjilan, “Nisma për Aktivizim” dhe “Avonet” në Ferizaj, si dhe “FOJK” dhe KVRL në Kaçanik.