Arbëri

Fakulteti i Mjekësisë refuzon pajisje laboratorike në vlerë prej 200 mijë eurosh

Rreth 200 mijë euro është vlera e pajisjeve laboratorike të një universiteti të Gjermanisë, që Fakulteti i Mjekësisë ka refuzuar t’i pranojë. Profesori Mentor Sopjani tha se menaxhmenti i Fakultetit u bë pengesë për ta realizuar donacionin. E në dekanat arsyetuan vendimin, për të mos i pranuar pajisjet që ofroheshin falas

Profesori Mentor Sopjani ka akuzuar menaxhmentin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, për pengim të një donacioni nga Universiteti i Munsterit, për pajisje laboratorike në vlerë prej 200 mijë eurosh.

Sopjani siguroi zotimin e Universitetit për t’i përfituar pajisjet. Por thotë se menaxhmenti i Fakultetit shtroi kërkesa të pakuptimta.

“Ata kanë kërkuar edhe gjërat teknike që janë në funksionalitetin e pajisjeve dhe gjendjen e tyre funksionale që janë punë inxhinierike që i bëjnë kompanitë e caktuara përgjegjëse për specializimet e tilla”, ka thënë profesori Sopjani. “Me këtë rast ato nuk kanë ardhur, se procedura është bllokuar në Fakultetin e Mjekësisë e jo në Rektorat, duke mos pasur asnjë vendim të shkruar”.

Në Fakultetin e Mjekësisë thanë se pas kërkesës kanë formuar një komision dhe pranuan se është refuzuar donacioni. Sipas menaxhmentit, profesori Sopjani nuk ka ofruar informata të detajuara për pajisjet që duhej të silleshin.

“Përkundër faktit se komisioni dy herë e ka kontaktuar zyrtarisht prof. M. Sopjanin për të ofruar informata të nevojshme, i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë”, është thënë në përgjigjen e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë. “Duke pasur parasysh faktin se për të sjellë pajisje laboratorike nga jashtë kërkohet leja e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale të Kosovës (AKPPM), e cila ka munguar dhe në mungesë të të dhënave të tjera të kërkuara nga komisioni për parashtruesin e kërkesës, komisioni e ka pasur të pamundur përmbushjen e detyrave të veta”.

Profesori Sopjani e mohoi se i është kërkuar leje nga Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Ai tregoi se çfarë saktësisht është humbur duke e refuzuar donacionin.

“Me këtë rast kanë humbur një numër i pajisjeve që rrallë kush i ka në rajon dhe kanë mundur të përdoren për shumë hulumtime shkencore që i bëjnë kolegët tanë në fakultete dhe jashtë fakulteti e sidomos për studentët që janë të përqendruar në kryerjen e diplomave të tyre në aspektin laboratorike dhe jo domosdoshmërish veç në aspektin teorik”, ka thënë Sopjani.

Bazuar në marrëveshjen që Sopjani e kishte me donatorin potencial, Fakulteti i Mjekësisë është dashur të paguajë gjithsej 6 mijë e 800 euro për paketimin dhe transportin e pajisjeve.

KOHA ka kontaktuar edhe Universitetin gjerman, por nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.