Fabrika e parë e municioneve që do të ndërtohet në Kosovë do të ketë një kapacitet prodhues prej 20 milionë fishekësh në vit, ka raportuar agjencia turke DHA të martën. Projekti do të realizohet nga kompania shtetërore e industrisë së mbrojtjes së Turqisë, MKE (Makina ve Kimya Endüstrisi A.Ş.), dhe pritet të përfundojë në vitin 2026.
Marrëveshja për ndërtimin e fabrikës u nënshkrua kohët e fundit, duke shënuar një hap tjetër në bashkëpunimin e avancuar në fushën e mbrojtjes mes Ankarasë dhe Prishtinës.
Sipas marrëveshjes, kompania turke MKE do ta furnizojë Kosovën me pajisje për prodhimin e gëzhojave dhe plumbave, linja të montimit dhe ngarkimit, si dhe laboratorë e pajisje testimi. Përveç kësaj, ekspertët turq do të ofrojnë trajnime në prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe asistencë teknike për fuqinë punëtore lokale. Ndërtimi i objekteve të prodhimit do të bëhet gjithashtu nga vetë kompania MKE.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte njoftuar në fund të nëntorit të vitit të kaluar se Kosova synon të ndërtojë fabrikën e parë të municioneve dhe një laborator për dizajn të dronëve, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Bashkëpunimi me Turqinë në fushën ushtarake është thelluar ndjeshëm vitin e fundit. Vetëm këtë muaj, Kosova mori mijëra dronë kamikazë “Skydagger” nga kompania turke Baykar, e cila më herët i kishte shitur Prishtinës edhe dronët e njohur Bayraktar TB2.
Edhe
Forca e vërtetë e Forcës së Kosovës
Ndërkohë, ky bashkëpunim ka nxitur kritika nga Serbia, e cila ka shprehur shqetësim për “militarizimin e Kosovës”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e quajti “sjellje shqetësuese” dërgesën e dronëve turq, duke thënë se ajo “rrezikon stabilitetin rajonal”. Megjithatë, pak ditë më vonë, Vuçiq e zbuti tonin, duke e përshkruar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan si “lider të madh” dhe duke theksuar se Serbia dëshiron “marrëdhënie sa më të afërta me Turqinë”.
Sipas MKE-së, projekte të ngjashme për prodhim municionesh janë përfunduar edhe në Jordani dhe Mongoli, ndërsa kompania është në bisedime me tetë shtete të tjera për ndërtimin e fabrikave të armëve dhe municioneve.
-
Nënshkruhet marrëveshja me prodhuesin turk për funksionalizimin e fabrikës së municioneve
-
Nënshkruhet marrëveshja me prodhuesin turk për fabrikën e municioneve në Kosovë
-
Kosova do të prodhojë dy lloj municionesh dhe do të dizajnojë dronë luftarakë
-
Municionet e para “Made in Kosova” në fund të 2026-s