Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

EULEX-i: Për një vit u identifikuan tre persona të zhdukur, qindra ndër vite

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), njoftoi të martën, se brenda një viti i ka kryer 21 operacione në terren, duke përfshirë nëntë zhvarrime, me ç’rast i ka identifikuar tre persona të zhdukur.

Në njoftimin për media, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, EULEX-i raportoi se që nga 2009-a, janë kryer 692 operacione, ku janë identifikuar 480 mbetje mortore, përfshirë 332 persona të zhdukur.

Sipas statistikave të EULEX-it, 89 trupa janë zhvarrosur në varrezat e myslimanëve në Mitrovicën Veriore, 81 në varrezat ortodokse në Arbëri, 77 në varrezat e Prizrenit, 59 në varrezat në Shirokë dhe 49 në varrezat e myslimanëve në Shirokë.

“Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka punuar pareshtur për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre për një varrim të respektuar dhe dinjitoz”, thuhet në komunikatë, duke u bërë e ditur se ekspertët e EULEX-it po punojnë me autoritetet e Kosovës për rishikim të mbetjeve mortore njerëzore në morgun e Prishtinës.

Numri i trupave të zhvarrosur, sipas EULEX-it, në Brekoc është 121, në Çikatovë të Vjetër 230, Rakosh 97, Qirez 96, Studime e Epërme 93, Korishë 72, Suhodoll i Poshtëm 70, Makoc 63, Shudoll 61, Krushë e Madhe 58, Rudnicë 54, Suharekë 54 dhe Kizhevak 7.

“Për ta vështirësuar kërkimin e personave të zhdukur dhe për t’i fshehur provat, kryerësit e atyre krimeve i kanë fshehur trupat në varre të vogla klandestine apo edhe nëpër varreza”, thuhet në njofim.