Në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, Koha Ditore ka publikuar shtojcën “Koha për të mbijetuarat”me qëllim që t’i sjellë zërat dhe kërkesat e të mbijetuarave dhe të mundësojë të kuptuarit më të saktë të kompleksitetit që e rrethon dhunën seksuale të ndërlidhur me konfliktin dhe ndikimin shkatërrues që ka në individë dhe në shoqëri.
Për këtë janë deklaruar presidenti Hashim Thaçi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, Prokurorja Drita Hajdari, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova dhe kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia.
“Është koha që të mbijetuarat e dhunës seksuale më në fund të gjejnë përkrahjen e duhur institucionale në vendin tonë. Ato kanë nevojë për përkrahje më të madhe të gjithë shoqërisë sonë, që bashkërisht ta lëmë pas të kaluarën e hidhur dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Institucionet duhet të punojnë më shumë në rritjen e vetëdijes shoqërore dhe në forcimin e mekanizmave mbështetës për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Vetëm duke rritur ndërgjegjësimin publik, ne mund t'i japim fund çdo lloj dhune në shoqërinë tonë”. - Presidenti Thaçi.
“Qeveria e Kosovës ka nisur njohjen e statusit dhe kompensimin e viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, por jemi të vetëdijshëm që kompensimi material nuk shlyen plagët e kësaj kategorie. Prandaj, po angazhohemi fort që kjo kategori të gëzojë shërbime të mirëfillta shëndetësore, punësim dhe aftësim profesional, rehabilitim jetësor dhe barazi në shoqëri. Përkushtimi ndaj kësaj kategorie shkon përtej përpjekjeve institucionale. Të drejtat e merituara dhe barazia në shoqëri për këto viktima arrihen vetëm nëpërmjet angazhimit të përbashkët të të gjitha hallkave të shoqërisë” - ministri Reçica.
“Në Kosovë dhuna seksuale ka dalë nga errësira. Mirëpo, ende nuk ka statistika reale për numrin e viktimave që kanë mbijetuar dhunën seksuale. Tashmë për disa viktima dihet, për disa me siguri kurrë nuk do të dihet, për shkak se nuk janë të gatshme dhe nuk pranojnë të ballafaqohen me të kaluarën, nga frika dhe stigmatizimi në shoqëri dhe familje. Nuk guxojmë të harrojmë faktin se krimi i luftës së dhunimit ishte strategji e luftës, strategji për pushtimin e territorit, për pastrimin etnik e në veçanti urrejtje dhe poshtërimin ndaj gruas, që paraqesin shumicën e madhe të viktimave të këtij krimi. Si prokurore e shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës që merrem me rastet e krimeve të luftës, angazhohem për zbulimin dhe hetimin e rasteve të dhunës seksual gjatë luftës dhe në radhë të parë kërkoj drejtësi dhe satisfaksion për viktimat e luftës, duke kontribuuar në dokumentimin e fajësisë për ata që i kryen këto krime të tmerrshme. Krimet e luftës nuk vjetërsohen dhe kurrë nuk do të ketë amnisti për ata që kryen këto krime makabre. Andaj, asnjëherë nuk është vonë për ta raportuar rastin. Vetëm me angazhimin dhe bashkëpunimin tonë konkret, me zbatimin e drejtë të ligjit mund të sigurohet drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët e luftës” - Drita Hajdari , prokurore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Edhe
Haxhiu: Dhuna seksuale gjatë luftës, krim që u mbajt gjatë në heshtje
“Në Kosovë kanë kaluar 18 vjet që nga përfundimi i konfliktit dhe tema që ka të bëjë me të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt mbetet një sfidë, ku fajësia e kësaj padrejtësie të rëndë vazhdon të peshojë rëndë mbi të mbijetuarit. Jam e kënaqur që Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale është funksional. Kjo shënoi një hap të guximshëm për këta të mbijetuar. Unë u kam bërë thirrje institucioneve përkatëse që të tregojnë vëmendje më të madhe ndaj procesit të aplikimit pesëvjeçar duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t'i trajtuar këto viktima me konsideratën më të lartë, pa vonuar proceset. Qeveria duhet të sigurojë që këto dëmshpërblime u garantohen të gjithë të mbijetuarve pa diskriminim. Kohët e fundit u takova me një grup të të mbijetuarave të dhunës seksuale, ku fola, por kryesisht i dëgjova. Kuptova se rehabilitimi do të thotë më shumë se njohja ligjore, gjithashtu do të thotë ndihmë psiko-sociale, qasje në shërbime mjekësore, qasje në drejtësi, fuqizim ekonomik dhe luftim i stigmës. Pasojat e këtij krimi do të vazhdojnë të ekzistojnë për shumë vjet të ardhshme, por ne duhet të sigurojmë që plagët e këtij konflikti nuk u transmetohen brezave të rinj; ne duhet të parandalojmë pasojat e konfliktit që prekin të ardhmen e shoqërisë sonë, të fëmijëve tanë. BE-ja mbështet plotësisht të drejtat e të mbijetuarve për dëmshpërblime dhe kështu ne inkurajojmë strukturat e qeverisë dhe partnerët e tjerë të zhvillimit, për t'i ndërlidhur të mbijetuarit me iniciativat ekzistuese qeveritare dhe zhvillimore; dhe njëkohësisht kërkojmë shkëmbim më të madh të ideve ndërmjet shoqërisë civile dhe organizatave që punojnë me të mbijetuarit” - Shefja e BE-së në Kosovë, Apostolova.
“Paqja është edhe proces i të mësuarit dhe vlerësimi i sakrificës dhe dhembjes së tërë atyre grave dhe vajzave të mbijetuara të dhunës seksuale duhen riparë dhe rivendosur në të shkruarit e historisë së ndërtimit të shtetit tonë. Historia do të jetë gjysmake nëse nuk njeh dhe respekton sakrificën dhe humbjen e tyre” - Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore.