Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ende pa agjendë për përvjetorin e pazakontë të Pavarësisë

Dy javë para se Kosova të mbushë 13 vjet shtet, Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka finalizuar agjendën e aktiviteteve shtetërore. Në një përvjetor të pazakontë, Kosova do të festojë nën masat anti-COVID, me Qeveri në detyrë, e me ushtruese të detyrës së presidentes.

Qeveria në detyrë ka thënë se aktivitetet shtetërore do të organizohen në përputhje me masat anti-COVID. Nga zyra për komunikim me publikun, e Qeverisë Hoti, kanë bërë të ditur për KOHËN, që sapo të finalizohet agjenda, ajo do të bëhet publike.

Më 17 shkurt Kosova do të mbushë 13 vjet nga shpallja e pavarësisë. Për herën e parë, një përvjetor i Pavarësisë e gjen vendin nën masa të luftës së pandemisë, me rekomandimet për distancë sociale e numër më të limituar të njerëzve të grumbulluar.

Pos kësaj, festa do të jetë në kohën kur vendi po qeveriset nga një qeveri në detyrë. Qeveria Hoti u rrëzua në dhjetor pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se kjo qeveri u zgjodh edhe me votën e deputetit Etem Arifi, vota e të cilit u shpall e pavlefshme për shkak se s’kishte të drejtë të ishte deputet për shkak të dënimit me burgim.

Përmes atij aktgjykimi vendi u dërgua në zgjedhje. Për zgjedhje, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, caktoi datën e 14 shkurtit. Pra për vjetori i 13-të do të vijë në një kohë tejet të shkurtër pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Osmani është në pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes që nga nëntori kur presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u përballur me akuzat për krime lufte, të ngritura nga Gjykata Speciale.