Arbëri

Emrat për kryetar të Prishtinës, LDK-ja në garë me një fytyrë të re

Kanë mbetur pak muaj deri në përfundim të mandatit të Shpend Ahmetit si kryetar i Prishtinës, kur edhe do mbahen zgjedhjet e rregullta lokale në gjithë vendin.

Partitë politike tashmë kanë nisur punën rreth zgjedhjes së kandidatëve . E vetmja parti që deri më tani ka zyrtarizuar kandidatin për kryeqytetin është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në garë hyn me deputetin nga Glloxhani, Daut Haradinaj.

Që nga koha kur drejtonte shëndetësinë në nivel lokal e deri në atë të ministrit, Arben Vitia është ai me të cilin Lëvizja Vetëvendosje synon të kthejë qeverisjen e Prishtinës.

“Ne shpresojmë që deri në zgjedhjet lokale, gjendja me pandeminë edhe nëse nuk kalon të ketë më pak raste dhe do të ishte edhe më e lehtë në këtë rast që Arben Vitia të jetë kandidat për kryeqytetin”, ka thënë asamblisti në komunë nga VV-ja, Egzon Ademi.

Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet qendrore mori 64 për qind të votave në kryeqytet, beson fuqishëm në fitoren e Prishtinës.

“Asnjë subjekt politik nuk ka arritur pas luftës të marrë 70 mijë vota... Prishtina do ta ketë fatin të qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje edhe në lokal dhe në atë qendror, dhe një fat të tillë do ta kenë besojë edhe shumë komuna të tjera të Kosovës”, tha Azemi.

Me Lumir Abdixhikun si kandidat potencial për kryetar, LDK-ja synonte që të kthehej në qeverisjen e kryeqytetit. Por pas zgjedhjes në krye të partisë vetë Abdixhiku tha se nuk do të jetë kandidat.

Këshilltari komunal , Shefqet Osmani thotë se për kandidat, LDK-ja do ketë një fytyrë të re.

“Ishte zgjedhja e presidentit dhe tani do t’i kthehemi vetvetes. Prandaj, edhe Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk do të kandidojë pasi ka shumë punë për t’u bërë...Ne i kemi dy tre emra të cilët nuk mund t’i them sot. Ju garantoj që nuk do të bëjmë riciklim. LDK-ja ka bërë reformim të thellë dhe ekskluzivisht do të jenë fytyra atraktive dhe interesante”, tha Osmani.

Ai tregon se tashmë i kanë hartuar projektet me të cilat do ta qeverisin Prishtinën.

“Prishtina duhet të ndryshojë. Ne kemi projekte, se si t’ia kthejmë namin qytetarëve, planet për zhvillim ekonomik, bujqësi, shëndetësi... mendoj që 8 vjet janë shumë, kemi humbur të gjithë prandaj do të punojmë me përkushtim që Prishtinës t’ia kthejmë dinjitetin dhe ta kthejmë Prishtinën aty ku e ka vendin me qeverisjen e LDK-së. Ka buxhet, ka potencial dhe do të jetë shembull edhe në regjion”, shtoi Osmani.

Pas tërheqjes nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Socialdemokrate ka thënë për KOHËN se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtë.

Ndërsa PDK-ja nuk ka qenë e gatshme të prononcohet për shkak se ende janë duke u zhvilluar takimet brenda partisë për këtë çështje. Edhe për këtë parti, kandidat i mundshëm është përmendur ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.