Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Emigrimi nga fshatrat, shuhen dy paralele në Prapashticë

Me ndërtimin e vilave, Prapashtica po kthehet në vend vetëm për pushime.

Mungesa e infrastrukturës dhe kushteve të tjera për jetë në vendet rurale të Kosovës, po bën që qytetarët të largohen.

E kjo gjë ka ndikuar direkt në shuarjen e paraleleve nëpër shkolla.

Në shkollën fillore të Prapashticës, për momentin nuk ka asnjë nxënës të klasës së parë dhe të dytë.

Përderisa, edhe paralelet e tjera kanë një numër mjaft të vogël të nxënësve.

Edhe Klasa me tre nxënës Arbëri Klasa me tre nxënës

Drejtori shkollës, Fatmir Zhdrella, thotë numri i vogël i nxënësve po krijon vështirësi. Thotë se mungesa e konkurrencës nuk sjell shumë kualitet te nxënësit.

“Këtë vit nuk kemi pasur asnjë nxënës në klasën e parë, pritet që vitin e ardhshëm të kemi 4 nxënës. Njësoj vlen edhe për klasën e dytë. Zakonisht njerëzit mund edhe të paragjykojnë por numri i vogël i nxënësve, mungesa e konkurrencës brenda për brenda klasës është logjike që nuk sjellë shumë kualitet. Por edhe në këto mundësi që janë, mësimdhënësit mundohen ta bëjnë më të mirën e tyre, të ua japin dijen nxënësve”.

Edhe ata pak nxënës që janë, kanë vështirësi sidomos nga kafshët e egra në rrugën e tyre drejt shkollës.

“Udhëtimi i nxënësve për shkak të distancës së largët të tyre, është i organizuar nga komuna e Prishtinës përmes transportit. Është një lehtësim për ata fëmijë të cilëve ua lejon ligji, pasi shtëpitë e tyre gjenden mbi 4 kilometra larg nga shkolla. Është sfidues dhe bëj thirrje që të ju bëhet një zgjidhje të gjithë nxënësve që janë në këtë rajon, pavarësisht se sa larg i kanë shtëpitë e tyre, arsyeja e vetme lidhet se në sezonin e dimrit janë në rrezik nga qentë endacak dhe kafshët e egra dhe nuk mund të vijnë vetë në shkollë”.

Kjo është arsyeja e mungesës më e shpeshta sipas mësueses Njomëza Bekaj.

Edhe Pupovci: Shumë shkolla duhet të mbyllen për të ruajtur cilësinë Arbëri Pupovci: Shumë shkolla duhet të mbyllen për të ruajtur cilësinë

“Sfidat për shkak të motit në këtë pjesë janë të ditura sepse ndikon në mungesën e nxënësve dhe për shkak se është një numër më i vogël i nxënësve vërehet mungesa e tij, për shkak se kushtet e udhëtimit janë të vështira...Gjithsej janë 5 nxënës, që dy ditë mungojnë edhe 2 nxënës”.

Ndërsa, arsimtarja e Edukatës Fizike, Dafina Behluli tregon se numri i vogël i nxënësve po ndikon negativisht, pasi nuk mund të bëjnë lojëra grupore të nevojshme për lëndën e saj.

“Na vështirëson sepse nuk mund të bëjmë aktivitete grupore, vetëm individuale diçka, sepse lënda ime është edukata fizike dhe duhen grupe më të mëdha të nxënësve. Numri më i madh i nxënësve është më mirë, ka edhe efektet negative, por edhe pozitive, por në përgjithësi për lëndën time është më i mirë, janë lojërat që nuk zëvendësohen si futbolli apo ndonjë lojë tjetër kolektive e që duhet të jetë numri më i madh i nxënësve”.

Njohës i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se trendi i rënies së numrit të nxënësve në zonën rurale do të vazhdojë edhe në vitet vijuese.

Për këtë, ai thotë se sistemi i arsimit duhet t’i përshtatet kësaj situate të re.

Edhe Funksionimi i paligjshëm i shkollës me tetë nxënës Arbëri Funksionimi i paligjshëm i shkollës me tetë nxënës

“Ato shkolla nga aspekti i infrastrukturës mund të jenë shumë të mira, por kur në klasë mbet një numër i vogël, atëherë aty efektiviteti i mësimit është në pikëpyetje të madhe sidomos për faktin se ata fëmijë në shumicën e rasteve janë familjar dhe mësuesit e tyre në shumë raste dinë të jenë familjar të tyre, dhe ky është një faktor kufizues me rastin e procesit të të nxënit. E mos të flasim për ato klasat e kombinuara ku mbeten bashkë fëmijët e grup-moshave të ndryshme, ku mësojnë në të njëjtën klasë nga i njëjti mësues, për vet faktin se numri është aq i vogël sa nuk mund të krijohen klasa të veçanta për ta”.

Ndryshe, sipas statistikave prej shpalljes së pavarësisë deri në vitin 2018, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka rënë për 20 për qind.