Në fshatin Ballaban të Prishtinës, mësimi vazhdon në një shkollë me vetëm tetë nxënës, ndonëse sipas udhëzimit administrativ ajo duhej të ishte mbyllur.
Ajo funksionon si paralele e ndarë e shkollës “Tefik Çanga” në Koliq dhe nuk i përmbush kushtet ligjore për funksionim, ku kërkohet një minimum prej 60 nxënësish për një institucion arsimor.
Banorët e fshatit thonë se në rast se merret vendim për mbylljen e shkollës, për ta do të nënkuptonte boshatisje e fshatit.
“Shkolla çdokujt i nevojitet, pa shkollë nuk bën. Shkolla nuk bën me u mbyllë. Pse? Më mirë tre nxënës me mësu këtu se asnjë. Si të mbyllet shkolla, populli e lëshon vendin krejt. Vendet e tjera i dërgojnë te një profesor me mësu një fëmijë edhe e paguajnë me e mësu atë fëmijë. Le këtu që e paguan shteti, ma mirë me mësu një fëmijë se asnjë”, thotë banori Bajram Sejdiu.
Por, për njohësin e arsimit, Xhavit Rexhaj, ruajtja e shkollave vetëm për arsye emocionale ose dëshirë të komunitetit nuk është e arsyeshme.
“Problemi është këtu, në njërën anë është interesi i fëmijëve për zhvillim të plotë emocional, psikik, kognitiv etj...dhe në anën tjetër është dëshira e komuniteteve atje që t’i mbajnë të hapura shkollat. Unë konsideroj që dëshira e komunitetit që t’i mbajnë shkolla të hapura nuk duhet të merret parasysh, por shteti duhet të bëjë gjithçka, në mënyrë që të sigurohen shërbimet më të mira arsimore për fëmijët në ato shkolla. Nxënësit të cilët vijojnë mësimin në shkolla të vogla apo paralele të ndara në Kosovë janë nxënës, fëmijë të diskriminuar në kuptimin akademik, social, arritjeve kognitive etj.”, ka thënë Rexhaj.
E psikologu Rron Krasniqi, i numëron pasojat për fëmijët që e vijojnë mësimin në shkolla me më pak nxënës.
“Të jesh në një klasë me pak nxënës, problemi mund të akumulohet nga disa faktorë, por një nga faktorët që duhet ta theksojmë është edhe mungesa e motivimit dhe e konkurrencës. Në një klasë ku ka më pak nxënës, ka më pak konkurrencë e kur ka më pak konkurrencë sigurisht që performanca mësimore është më rutinë dhe jo shumë përparimtare ose aktive dhe kjo i bën nxënësit të jenë më të shmangur dhe më pak të përkushtuar në mësimnxënie”, ka thënë Krasniqi.
Në raportin e vitit 2022 të Ministrisë së Arsimit për trajtimin e shkollave me pak nxënës, paralelen e shkollës “Tefik Çanga” në Ballaban e pati kategorizuar me prioritet të mesëm për mbyllje, që do të duhej të ndodhte nga shtatori i vitit 2023.
Vendimet ishin marrë mbi bazën e kritereve ligjore dhe numrit të nxënësve, duke i ndarë në tri kategori: prioritet i lartë, i mesëm dhe i ulët për mbyllje.
Bazuar në analizat e këtij raporti, 12 shkolla amë dhe 50 paralele të ndara në të gjithë Kosovën ishin në këtë listë.
Në bazë të statistikave të arsimit në Kosovë, të publikuara në qershor të këtij viti, del se vetëm një paralele e ndarë është mbyllur shkaku i këtyre kritereve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, deri në vitin 2030 planifikohet të mbyllen gjithsej 193 shkolla.
Ministria e Arsimit tash e disa ditë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS për zbatimin e politikave për mbylljen e shkollave me më pak nxënës.