Nga 1,789.939 banorë sa ishin regjistruar më 2011, 13 vjet më vonë numri ka rënë në 1,586.659. Numri i popullsisë që jeton tash në zonat urbane ka mbërritur në afro 796 mijë, krahasuar me 662 mijë sa ishte sipas regjistrimit paraprak. Në vitin 2011 raporti mes banorëve në qytet dhe fshat ishte 38 me 62 për qind. Me regjistrimin e 2024-tës, raporti është 50.18 për qind me 49.82 për qind në favor të qytetit. Në zonat rurale, sipas statistikave të fundit, jetojnë 791,032 banorë, ndryshe nga 1 milion e 128 mijë, sa ishin më 2011
Të rralla janë oxhaqet prej ku del tym në fshatin Prapashticë. Shitorja e vetme që e kishte ky fshat i Prishtinës që prek pikën kufitare Mutivodë, është mbyllur. E nga ky vit, për mungesë të nxënësve, fati i njëjtë e gjeti shkollën fillore të këtij fshati.
E ardhme e zymtë e pret edhe fshatin e afërt, Gllogovicën, ku banorët e saj për mungesë perspektive thonë se do të shpërngulen në kryeqytet.
Ilmi Uka është ndër të rrallët banorë që mund të haset në Prapashticë. 73-vjeçari, pavarësisht vështirësive, nuk e ka braktisur vendlindjen. Ai rrëfen se si dikur aty jetonin afro 100 familje, ndërsa sot ato numërohen në gishta.
“Përpara, fshati i ka pasur në prag të luftës 92 shtëpi të banuara e edhe shkolla ka pasur mbi 100 nxënës, por në 1972 kur kam dalë të punoj, shkolla i ka pasur 149 nxënës. Domethënë 92 shtëpi të banuara në prag të luftës. Edhe me ardhjen e luftës, fshati u shpërngul dhe iku prej këtu. Siç dihet prej okupatorit fashist edhe u shpërndanë njerëzit, dikush në Maqedoni, dikush në Shqipëri, ku kanë mundur të gjejnë strehim, mirëpo me ardhjen e lirisë, me fitimin e luftës së UÇK-së dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u bë e mundur që njerëzit të kthehen në fshat… Diku 30 për qind e fshatarëve nuk janë kthyer më në vendet e tyre. Tash momentalisht veç një shembull po jua jap: Kjo lagjja ime që thirret lagjja e Cubajve, në prag të luftës i ka pasur 27 shtëpi të banueshme, ndërsa tash kemi dy shtëpi. Në këtë gjendje ka ardhur fshati”, ka thënë Ilmi Uka, kryetar i fshatit Prapashticë.
Uka, që ka qenë mësimdhënës dhe kryetar i Bashkësisë Lokale të kësaj ane, thotë se krahas mungesës së investimeve, në migrim ka ndikuar edhe ndryshimi i stilit të jetesës te të rinjtë. Subvencionet për bujqësi, sipas tij, nuk i bindin të rinjtë të qëndrojnë meqë, thotë ai, ata kanë të tjera ambicie.
“Hajde të themi se dikush prej rinisë do të jetojë në fshat. Po e pranojnë që do dikush të jetojë në fshat mirëpo ajo dashuri që t’i do të kthehesh, ti duhet ta përcjellësh me diçka. Duhet ta përcjellësh me një bazë ekonomike, me një ndihmë nga shoqëria, me një investim, me një donacion, që të fillojnë njerëzit prej zeros për ngritje. Ato kanë munguar në kohën e kaluar, megjithëse tash vonë jepen disa subvencione për blegtori e jepen disa subvencione për hektarë të mbjellë me grurë ose me drithëra, mirëpo janë të pakta dhe njerëzit e kanë humbur vullnetin. Rinia më nuk merret me bujqësi. Tash duhet ta pranojmë se është koha e teknologjisë edhe njerëzit më nuk duan me rrokë pllugun, duan punë më të lehta, më komod. Edhe fshati për ta më nuk është atraksion… Po jetojnë ma lehtë në qytet. Të jetosh në fshat domethënë që je tërë ditën duke u angazhuar në punë, si në verë edhe në dimër, sepse edhe dimri i ka punët e veta në fshat. Duhet ta mbash kafshën, ta ushqesh, t’i japësh ujë, t’i japësh tagji dhe njerëzit përtojnë”, ka thënë ai.
Të dhënat shqetësuese nga regjistrimi i fundit
Fenomeni i braktisjes së zonave rurale ka arritur në nivele shqetësuese. Regjistrimi i fundit, krahas tkurrjes së popullsisë, e ka nxjerrë për herë të parë numrin e banorëve në fshatra më të vogël sesa në zonat urbane.
Nga 1,789.939 banorë sa ishin regjistruar më 2011, 13 vjet më vonë numri ka rënë në 1,586.659. Numri i popullsisë që jeton tash në zonat urbane ka mbërritur në afro 796 mijë krahasuar me 662 mijë sa ishte sipas regjistrimit paraprak. Në vitin 2011 raporti mes banorëve në qytet dhe fshat ishte 38 me 62 për qind. Me regjistrimin e 2024-tës, raporti është 50.18 për qind me 49.82 për qind në favor të qytetit. Në zonat rurale sipas statistikave të fundit jetojnë 791,032 banorë, ndryshe nga 1 milion e 128 mijë sa ishin më 2011.
Profesoresha e demografisë në Universitetin e Prishtinës, Mimoza Dushi, tregon se migrimi dallon nga komuna në komunë, ku disa komuna karakterizohen më shumë me migrim jashtë vendit. E migrimi i brendshëm, sipas saj, është më i dukshëm drejt qendrave si Prishtina, Fushë-Kosova dhe Ferizaj.
“Vendbanimet të cilat kanë regjistruar zvogëlim të numrit të popullsisë janë 29, kurse 9 kanë shënuar rritje. Në komunat të cilat kanë numrin më të madh të zvogëlimit të popullsisë janë Prizreni, Podujeva, Gjakova dhe Rahoveci. Natyrisht që (shkaktare është v. j.) mungesa e punësimit, migrimi i brendshëm e i jashtëm. Në këtë rast kemi një migrim më të madh në drejtim të Prishtinës, ku është kryeqendra, ku janë mundësitë më të mëdha për punësim, infrastruktura është më e zhvilluar, domethënë elementet që e tërheqin popullsinë”, ka thënë ajo.
Disa komunave u është ulur numri i përgjithshëm i popullsisë. Përjashtim bëjnë Prishtina, Ferizaj dhe Fushë-Kosova, që kanë shtim të tij.
“Komuna të tjera që kanë shënuar zvogëlim të popullsisë të cilat karakterizohen me migrimin e jashtëm janë Suhareka, Malisheva, Vitia dhe Skenderaj që prijnë me zvogëlim të numrit të popullsisë. Komunat që kanë shënuar rritje të numri të popullsisë, natyrisht që është Prishtina, Ferizaj dhe Fushë-Kosova. Është afërsia me Prishtinën, kur flasim për Fushë-Kosovën dhe Ferizajn. Është zhvillimi më i hovshëm ekonomik dhe infrastruktura që e ka tërhequr popullsinë. Këtu për Prishtinën ka ndikim migrimi nga Komuna e Podujevës, është afërsia gjithashtu, por që flitet për migrim të përhershëm, janë mundësitë më të mira të jetesës, mundësitë më të mira të punës, mirëqenia e popullsisë është më në nivel. Është zhvillimi i shpejtë i infrastrukturës dhe është ofrimi i shërbimeve kualitative”, ka thënë Dushi.
Trend global
Dushi thotë se trendi i migrimit nga fshati në qytet është global. Ajo si faktorë me ndikim përmend sidomos punësimin e arsimin.
“Këto janë trende botërore sot. Ne jetojmë në kohën e globalizmit, ku njerëzit janë në lëvizje, prandaj jo domosdoshmërisht në nivel botëror njerëzit janë të lidhur me një vendbanim të përhershëm”, ka deklaruar ajo.
Efektet e migrimit të brendshëm shfaqen në forma të ndryshme. Siç paralajmëron Dushi, fakti që më shumë ka banorë në zona urbane sesa në ato rurale, pritet të reflektojë te mënyra se si ndahet buxheti për investime në infrastrukturë e subvencione.
“Në qoftë se popullsia në një vendbanim rural po zvogëlohet është shenjë që nuk ka më investime në rajonin rural. Nuk ka investime në shkolla. Pra grantet orientohen kryesisht në vendbanimet urbane që i plotësojnë kërkesat e popullsisë konform karakteristikave të cilat dalin me regjistrim të popullsisë. Në të ardhmen nuk do të ketë grante për bujqit e vegjël, por do të ketë grante për bujqit e mëdhenj që prodhojnë në masë. Reflektimi i parë i regjistrimit të popullsisë është reflektimi në financat komunale. Numri i banorëve reflekton në të gjitha strukturat tjera politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore. Ndryshon politikat zhvillimore. Komunat që kanë zvogëlim të numrit të banorëve do të kenë zvogëlim të fondeve, do të kenë vështirësi për ta mbajtur infrastrukturën. Zvogëlohen fondet, zvogëlohen shërbimet komunale për banorët ekzistues”, ka shtuar ajo.
Komunat janë të interesuara për më shumë të hyra dhe jo pa qëllim ndjekin politikë favorizuese të ndërtimeve, thotë arkitekti Bekim Ramku. Por, banorët e rinj, që kanë braktisur vendlindjen për jetë më të mirë, sipas tij, janë të pakënaqur me mjedisin e ri. Ramku thotë se komunat bëjnë planifikime në letër, por nuk i jetësojnë ato.
“Njëra arsye pse ka migrim prej hapësirave rurale në ato të urbanizuara është shërbimi, domethënë se popullata ka shërbime adekuate: shkolla, çerdhe, ambulanca, spitale e kështu me radhë. Ato në letër janë të planifikuara. Kur bëhet një plan rregullues urban, kudo në shtetin tonë, janë të planifikuara ato. Janë të planifikuara edhe hapësirat e nevojshme të gjelbra. Po ju, nëse shkoni pas aprovimit të atij plani, pas fillimit të ndërtimit, mund ta shihni që ndoshta një park që është menduar me një hapësirë, më nuk është park, por është vend parking për vetura. Kur kjo punë ndodh, normalisht duhet me qenë në disa rregulla, po edhe ndëshkime ma të majme domethënë financiare për ndërtuesit edhe shfrytëzuesit e atyre hapësirave, që nëse diçka është e menduar që të jetë hapësirë e gjelbër apo domethënë hapësirë rekreative, të mbetet e tillë”, ka thënë Ramku.
Trendi i ri
Komunat si ajo e Prishtinës, krahas pranisë së madhe të banorëve e bizneseve, karakterizohen edhe me ajrin e ndotur, zhurmën e pluhurin.
Në presion të kushteve të tilla, shumë qytetarë kanë zgjedhur zonat periferike të ngjashme me fshatin Prapashticë, për ndërtimin e shtëpive e vilave, mbase edhe për shfrytëzim gjatë fundjavëve.
Për këtë tendencë flet edhe arkitekti Bekim Ramku. Ai thotë se në Kosovë është i pranishëm një trend në rritje, i ngjashëm me vendet e Perëndimit, ku luks nuk llogaritet jeta në qytet, por në fshat.
“Meqë jemi popullatë evropiane e jemi në Evropë, duhet t’i përcjellim edhe disa trende që na paralajmërojnë se si janë duke ndodhur nëpër vende të tjera evropiane. Janë disa trende që tash veç ndodhin me dekada të tëra në Gjermani, Zvicër, Holandë e kështu me radhë, ku mund ta shohim që lëvizja e popullatës rurale, pra popullatës tradicionale rurale, që ka qenë blegtore apo njerëz që janë marrë me pemë e perime kanë filluar të lëvizin në qytete. E kemi parë edhe gjatë pandemisë, qysh janë rritur edhe çmimet e shtëpive gjithkund nëpër botë, po posaçërisht nëpër Evropë, nëpër hapësira rurale. Kështu që ajo do të ndodhë edhe te ne. Po shpresoj që ende do të kemi fshatarë që do ta zgjedhin fshatin para qytetit, kryesisht për shkak të kualitetit të jetesës sa i përket ajrit, por edhe sa i përket prodhimit të produkteve që duhet të kemi në vendin tonë”, ka thënë ai.
Kryetari i fshatit Prapashticë, Ilmi Uka, thotë se shteti duhet t’u ofrojë shërbime e infrastrukturë të gjithë banorëve pa dallim. Politikat stimuluese, sipas tij, do të mund ta frenonin largimin, mbase edhe kthimin në fshat të të shpërngulurve.
“Të japin donacione sa më shumë edhe t'i ndihmojnë fshatarët, në mënyrë që fshati të bëhet tërheqës për rikthimin e atyre që janë shpërngulur. Kjo është kërkesa e ime që e kam pasur vazhdimisht dhe e kam gjithmonë, sepse pa fshat nuk ka qytet. Fshati gjithmonë e ka mbajtur qytetin. Tash po ndodh e kundërta. Qyteti po e mban fshatin. Në mënyrë që mos të ndodhë kjo, ata e kanë për detyrë që për çdo ditë të mendojnë: një rrugë në qytet e një në fshat, e jo që të mos e kthejnë kokën kah fshati – se kjo e ka çuar në këtë shpërngulje. Kjo e ka bërë këtë shpërngulje kaq masive, këtë boshatisje - aq tragjedi. Kjo është tragjedi për katundin, tragjedi për shoqërinë”, ka thënë Uka.
Jeta në fshat ka ndryshuar shumë, thotë Uka. Sipas tij, veçanërisht të zorshme e bën mungesa e njerëzve, vetmia.
“Jeta këtu është e vështirë, t’jua them të drejtën, sepse këtu, kjo lagje ka qenë e mbushur me njerëz, me kafshë, me punë, me punë në bujqësi ka pasur qarkullim, ka pasur zona të njerëzve, të gjitha kanë ekzistuar, ka ekzistuar një gjallëri e tërësishme, ndërsa tash duket se është e zbrazët dhe jeta këtu është e vështirë, sepse vetmia të bren”, ka thënë Uka.
Shkolla ku Uka punoi si mësimdhënës për mbi 40 vjet është mbyllur. E për mungesë të nxënësve, mbyllja i kërcënon edhe dhjetëra shkolla të tjera në Kosovë, të ndërtuara kryesisht në 20 vjetët e fundit. Kosova brenda 10 vjetëve, nga 2010-2020, ka pasur ulje të numrit të nxënësve për afro 30 për qind. Me regjistrimin e fundit del se afro 100 mijë nxënës janë më pak se 13 vjet më parë.
Udhëzimi administrativ, për kriteret, themelimin dhe shuarjen e institucioneve arsimore parauniversitare parasheh që një shkollë fillore t’i ketë së paku 60 nxënës, ndërsa shkolla e mesme e ulët nga klasa e 6-të deri në të 9-n, së paku 160 nxënës. E në bazë të një analize të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e përpiluar më 2023, 193 shkolla duhet të mbyllen brenda pesë vjetësh. Në të njëjtën kohë, migrimi i brendshëm në qendra si Prishtina e Fushë-Kosova i ka mbingarkuar disa shkolla, gjë që ua imponon autoriteteve komunale që të ndërtojnë shkolla të reja.