Arbëri

193 shkolla planifikohen të mbyllen shkaku i numrit të vogël të nxënësve

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani!, përkrahur nga WB Media for Change

18 nxënës numëron shkolla në fshatin Çallapek të Lipjanit. Edhe pse nuk i plotëson kushtet ligjore për të funksionuar, ajo do të mbetet e hapur edhe në vitin e ri shkollor. Në Kosovë janë gjithsej 193 shkolla amë dhe paralele të ndara që, sipas një analize të Ministrisë së Arsimit, duhet të mbyllen deri në vitin 2030. Raporte kredibile thonë se nxënësit që arsimohen në shkolla me më pak nxënës tregojnë rezultate më të dobëta

Shkolla fillore në fshatin Çallapek të Lipjanit është në mesin e qindra institucioneve arsimore që nuk plotëson kushtet ligjore për të qëndruar e hapur.

Ky institucion, që është paralele e ndarë e shkollës “Emin Duraku” në fshatin Banullë, ka 18 nxënës, e udhëzimi administrativ kërkon që për të qëndruar e hapur një shkollë, duhet t’i ketë të paktën 60 nxënës.

Raif Sadiku është drejtori i shkollës “Emin Duraku”, dhe thotë se procesi mësimor zhvillohet në klasa të kombinuara dhe ka vështirësi në mësimdhënie e mësimnxënie.

“Edhe unë kur kam qenë në hospitim, ta them tash në monitorim të mbarëvajtjes së orës mësimore, tek ata mësimdhënës e kam parë që është sfiduese dhe është e vështirë dhe nuk korrespondon me një orë të suksesshme siç ndodh me mësimdhënësit e tjerë”, ka thënë Sadiku.

Bedri Bedrolli është banor i fshatit dhe përmend dy faktorë që kanë ndikuar në boshatisjen e shkollës – migrimi dhe përcaktimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët në shkollë me më shumë nxënës, e kryesisht në ato private.

“Këtu jemi edhe banorë shumë pak dhe disa kanë dalë jashtë me familje dhe kështu që numri është shumë i vogël… disa kanë shkuar edhe në privat, edhe ka mbetur numri i vogël, arsyeja është tash më së shumti edhe kjo”, është shprehur Bedrolli.

Në bazë të raportit të Ministrisë së Arsimit për shkollat amë dhe paralelet e ndara që nuk i plotësojnë kushtet të qëndrojnë të hapura, Komuna e Lipjanit prin me më së shumti.

Aktivistja e arsimit, Valmira Morina, numëron pasojat për fëmijët që vijojnë mësimin në shkolla me më pak nxënës.

“Në një klasë kur janë tre-katër persona, maksimumi shtatë nxënës, mungon edhe konkurrenca mes tyre. Mungojnë aktivitete ekstra- kurrikulare, mes tyre, pasi në bisedat me shumë mësimdhënës tregojnë që është shumë problematike kur ke numër të vogël të nxënësve, pasi është shumë problem me i realizu shumicën e planprogrameve që i kanë. Mirëpo mandej është edhe mungesa e infrastrukturës pasi si komunat edhe qeveria nuk është që investojnë shumë në ato shkolla”, ka deklaruar Morina.

Janë gjithsej 193 shkolla amë dhe paralele të ndara në Kosovë që planifikohet të mbyllen deri në vitin 2030, pasi numërojnë më pak se 60 nxënës.

Ministria bëri të ditur se vjet u mbyllën 8 shkolla, nga 78 që ishte paraparë.

Sivjet është deponuar vetëm një kërkesë. Komuna e Vitisë ka kërkuar të mbyllet shkolla në fshatin Debëllde.

E, në Komunën e Lipjanit theksuan se një prej problemeve me shkollat që mbyllen, është sistemimi i mësimdhënësve që kanë punuar në to.

“Ne si komunë kemi filluar vitin e kaluar me mbylljen e paraleleve të ndara të shkollave me numër të vogël dhe ende edhe sivjet për shkak se mbyllja e një shkolle krijon tepricë, nuk kemi mundur mësimdhënësit që kanë mbetë nga mbyllja e këtyre shkollave t’i risistemojmë”, ka thënë Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Komunën e Lipjanit.

Bazuar në rezultatet e Testit Ndërkombëtar PISA, nxënësit që kanë vijuar procesin mësimor në klasa me më pak se 15 nxënës dhe ata në klasa me mbi 35 nxënës, kanë treguar rezultate më të dobëta.