Komisioni për emërtim dhe riemërtim të rrugëve dhe shesheve në Komunën e Ferizajt ka konstatuar se rreth 70 për qind e emërtimeve të rrugëve janë të kundërligjshme. Këto emërtime janë miratuar më 2014.
Ky komision ka prezantuar edhe regjistrin përfundimtar, i cili tashmë përmban gjithsej një mijë e 536 emërtime të rrugëve, 18 sheshe dhe 303 emërtime rezervë për të ardhmen, shkruan sot Koha Ditore. Gjatë kësaj periudhe kohore janë shqyrtuar gjithsej 531 ankesa nga vetë qytetarët për ndryshim dhe riemërtim të rrugëve.
Faik Selmani, kryesues i komisionit për emërtim dhe riemërim të rrugëve në Komunën e Ferizajt, ka thënë se prej vitit 2014 KK-ja ka marrë tri vendime të ndryshme që kanë të bëjnë me emërtime të rrugëve. Sipas tij, komisioni ka vërejtur një varg gabimesh të cilat tashmë janë përmirësuar.
Muharrem Svarqa, shef i grupit të këshilltarëve në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, ka thënë se është bërë një punë me një përkushtim i cili po tregon një rezultat. Sipas tij, secila rrugë ka një rëndësi sepse përfaqëson një personalitet të njohur.
Kurse Arian Ymeri, shef i grupit të këshilltarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se komisioni ka bërë mirë që i ka rishikuar edhe emërtimet e vjetra. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)