Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Elshani: Situata e sigurisë në veri e qetë, por delikate

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, ka njoftuar se situata e sigurisë në këtë pjesë të vendit është e qetë, stabile por delikate.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Elshani ka thënë se problemet në këtë zonë nuk krijohen nga qytetarët e rëndomtë, por nga grupet kriminale, me të cilat thotë se po merren në mënyrë efektive.

“Situata e sigurisë është e qetë, stabile por delikate, duke marrë parasysh zhvillimet politike që po ndodhin në këtë pjesë veriore të Kosovës. Varet edhe nga veprimet e shtetit fqinj se si të veprohet tutje. Problemet nuk i kemi me qytetarë të rëndomtë, por me grupe kriminale, me njerëz me të kaluar kriminale, me të cilët po merremi në mënyrë shumë efektive deri tani”, është shprehur ai.

Derisa ka thënë se në këtë territor të Kosovës ka numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë, Elshani ka shtuar se po respektohet dakordimi i arritur në Bratislavë, për uljen e numrit të policëve për 50 për qind në komunat veriore dhe rreth tyre.

Ai është deklaruar edhe rreth aksionit të fundit të Policisë në një bazë armatimi, për çka ka thënë se ende nuk është ndaluar asnjë person, megjithatë është një i dyshuar.

“Informacionet që i pranojmë, i analizojmë, pas analizave dhe verifikimeve të nevojshme marrim masa, kjo ka qenë një prej rasteve të ndryshme që kemi ndërhyrë dhe kemi gjetur armatim. Për këtë rast nuk ka të ndaluar, ka të dyshimtë, një person dyshohet për këtë rast, sidoqoftë për ne është e rëndësishme që hetimi të jetë kualitativ”, ka theksuar ai.