Arbëri

Ekipet Emergjente në Mitrovicë mobilizohen për parandalimin e zjarreve

Foto: Ilustrim

Komuna e Mitrovicës ka zhvilluar një takim me përfaqësues të policisë së Kosovës, dhe përfaqësues nga Njësia e zjarrfikësve, ku është diskutuar lidhur me ngritjen e kapaciteteve për rastet emergjente, ku kohëve të fundit vendet rurale të kësaj komune po ballafaqohen me problemin e zjarrvënies së qëllimshme.

Me këtë rast, përfaqësuesit e Policisë janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë me të gjitha kapacitetet që kanë në dispozicion, për të reaguar me kohë kur paraqiten rastet me emergjence siç është problemi i zjarrit.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, Nehat Bahtiri, tha se stafi komunal është në kontakt me ekipet emergjente dhe janë duke e përcjellë situatën në vazhdimësi, prandaj tha se duhen ndërmarrë edhe hapa më konkretë për ta evituar këtë problem.

“Në bazë të informatave dhe inspektimeve të vazhdueshme nga drejtoria jonë, situata nuk është shumë e kënaqshme, sepse numri i zjarreve është shqetësues në gjithë territorin e Kosovës e ditët e fundit edhe në Mitrovicë. Prandaj ne duhet të ndërruarin sa më parë masa për ta ndaluar këtë dukuri”, tha ndër të tjerash Bahtiri.

Në fund të takimit, të pranishmit u dakorduan që disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të trajnohen nga përfaqësuesit e zjarrfikësve me një trajnim dyditor lidhur me planin e veprimit për përdorimin e mjeteve për shuarjen e zjarreve, si dhe apeluan tek të gjithë qytetarët e komunës sonë që t’i ruajnë hapësirat pyjore.