Drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, thotë se ZRRE-ja ka vepruar duke u ndikuar nga opinioni publik dhe ai i Qeverisë, teksa shtoi se ka pritur të merr vendim “më profesional”, pasi që nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike më së shumti janë të prekur konsumatorët të cilët shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për miratimin e vendosjes së bllokut tarifor në 800 kWh në vend të 600 sa kishte propozuar më herët, sipas Ejupit nuk është i drejtë, pasi me këtë rast janë duke u subvencionuar vetëm bizneset dhe konsumatorët që shpenzojnë vetëm deri në 800 kWh, duke ua vënë 20 për qind të konsumatorëve barrën e së 10 për qind të konsumit.
“20 për qind të konsumatorëve do të paguajnë barrën e 10 për qind të konsumit, kjo është shumë për ta. Ne kemi propozuar që energjia të rritet për një shumë prej pesë për qind, që është e përballueshme për të gjithë. Një prej arsyeve që e kemi kundërshtuar është se është përgatitur opinion. Ne prej ZRRE-së presim vendime profesionale, jo vendime çfarë mendon publiku ose çfarë thotë Qeveria. Nëse vazhdon kështu, ne duhet që secilin vit të subvencionojmë energji dhe kjo nuk është zgjidhje”, ka thënë Ejupi.
I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, ai tha se në komentet e tyre të dërguar drejt ZRRE-së, kanë rekomanduar që tarifat të ndahen në tri blloqe.
“Kur i kemi dërguar rekomandimet tona, i kemi nda në tri blloqe tarifat. Blloku i parë që ka të bëjë me elementare, blloku i dytë që ka të bëjë me familjet e shtresave të mesme dhe pjesa tjetër ku rryma vetëm kalon në luks. Kjo puna e 800-shit, pse u shtuan 200? Në reagimin tonë kemi thënë që kjo nuk i paraprin eficiencës së energjisë. Pas 1 viti ne do ta kemi të njëjtin problem. Kjo është që të shtyjmë për një vit problemin, por çka pas një viti”, ka thënë ai.
Ejupi më tej shtoi se pas një viti qytetarët do të përballen sërish me gjendjen e njëjtë sa i përket energjisë, pasi që subvencionimi i Qeverisë është vetëm për një vit, andaj do të duhej një përgatitje më e madhe.
“Janë të nivelit të hyrave maksimale, sipas të hyrave të lejueshme maksimale, në bazë të hyrave të lejueshme maksimale, 132 milionë euro mungojnë, pra rryma duhet të shtrenjtohet për 132 milionë, ose siç thotë ZRRE-ja e kemi një rritje lineare prej 42 për qind. Tani, Qeveria i subvencionon bizneset dhe konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh. Ky 42 përqindësh do të mbulohet prej konsumatorëve që shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj. Këtu është edhe një pabarazi. Ne jemi 132 milionë mungesë, nëse Qeveria ka thënë se i jep 90 milionë, më të prekur janë ata që me fjalë të tjera ngrohen me rrymë. Gjatë dimrit kjo shtresë duhet të përgatitet që diku rreth 20 për qind të hyrave duhet t’i paguajnë vetëm energji elektrike. Pas një viti jemi sërish njëjtë, sepse 90 milionë janë në mungesë dhe ato duhet t’i paguajnë konsumatorët”, tha ai.
Edhe
Kritikohet Qeveria për moskundërshtimin e shtrenjtimit të rrymës
Drejtori i INDEP më tej tha se Qeveria është vonuar sepse grupin punues për strategji të energjisë e ka krijuar në muajin shtator, gjë që do të duhej të ishte prioritet numër një.
Sa i përket pagesës së energjisë elektrike në veri të Kosovës, Ejupi thotë se themelimi i një kompanie në këtë zonë do të ishte zgjidhja më e mirë.
“Çështja e energjisë në Veri ka të bëjë me marrëveshjen e 2015-tës, kur në Bruksel është nënshkruar një marrëveshje për energji dhe implementimi është duke shkuar më ngadalë. Në këtë marrëveshje është plan edhe themelimi I një kompanie në Veri, që bën distribuimin e energjisë, dhe në momentin që licensohet ajo, barrën nuk e marrim më ne”, përfundoi ai.