Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të dielën me fituesin e çmimit Nobel për Kimi, Dan Shechtman, me të cilin ka biseduar për edukimin në Kosovë dhe Fondin Sovran.
Zyra e Kryeministrit njoftoi nëpërmjet një komunikate se Schectman ka ndarë përvoja profesionale dhe akademike për modelet e aplikuara në Izrael, në mbështetje institucionale për ndërmarrës në fushën e teknologjisë.
“Kryeministri Kurti e njoftoi z. Shechtman për progresin demokratik, arritjet dhe prioritetet e qeverisë, për pilot programet në kuadër të sistemit dual të edukimit që kanë filluar të zbatohen në këtë vit akademik, për investimin në fushat STEM dhe mbështetjen e vajzave dhe grave në këtë fushë përmes bursave të studimit. Ai po ashtu e njoftoi për konferencën e sotme për prezantimin e Fondit Sovran dhe për vizionin që ky fond ka për ndërmarrjet publike, të cilat pas shumë vitesh keqmenaxhim kanë filluar të ringjallen dhe të jenë profitabile. Në këtë takim theks i veçantë iu kushtua rëndësisë që edukimi ka për zhvillimin e vendit, veçanërisht shkenca në edukim të hershëm, teknologjia dhe ndërmarrësia në këto fusha”, thuhet në njoftimin e Zyrës.
Më 2011-n, Shechtman ishte laureuar me Nobelin në Kimi, për zbulimin e strukturave kristalore të quajtura si kuazikristale.