Arbëri

Kurti takon ish-drejtorin e USAID-it në Kosovë, flasin për hapat e nevojshëm në arsim

Kryeministri Albin Kurti ka pritur të martën në takim ish-drejtorin e USAID-it në Kosovë dhe anëtarin e bordit të KAEF-it, Dale Pfeiffer, me të cilët ka diskutuar rreth arsimit në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për sfidat dhe hapat e nevojshëm për të përmirësuar cilësinë në të gjitha nivelet në këtë fushë.

Siç bëhet e ditur, Kurti ka theksuar rëndësinë e investimeve në arsim si prioritet i Qeverisë.

“Ai veçoi rritjen e buxhetit të përgjithshëm për arsimin, dhe shtimin e bursave për studentë, veçanërisht për studente vajza dhe gra në fushat STEM. Javën e kaluar u ndanë 1882 bursa për studente në fushat STEM, duke e ngritur numrin në gjithsej 4630 bursa për gra dhe vajza në këto fusha për tri vite akademike radhazi. Me rritjen e numrit të studenteve në këto drejtime zvogëlojmë pabarazitë sociale dhe mbështesim pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave”, thuhet në tej në njoftim.

Së fundmi janë publikuar rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA, ku Kosova ka shënuar regres në rezultate, duke u renditur sërish ndër vendet e fundit në listë.