Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se edhe një punëtor ka humbur sot jetën në vend të punës.

Në njoftim ngushëllimin, thuhet se punonjësi gjatë angazhimit në zhvendosjen e disa kabllove, ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda, plagëve të të cilave nuk ka arritur t’iu mbijetoj.

“Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Ky është punëtori i tretë i KEK-ut i cili ka humbur jetën nga lëndimet e marra në vendin e punës që nga korriku. Më 16 korrik, KEK-u njoftoi se një punëtor 58-vjeçar ka humbur jetën pas lëndimeve që mori në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj.

Ndërkohë një punëtor tjetër, Haxhi Gjinovci 59-vjeçar, nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve po ashtu të marra në punë, para disa ditësh. Ai ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ).

Ndërsa sot, 20 gusht, i bie të jetë vdekja e tretë me radhë e një punëtori të KEK-ut si pasojë e lëndimeve në vendin e punës.

Për vdekjet në KEK ka reaguar deputeti i Aleancës, Burim Ramadani. Ai e ka quajtur dështim total dhe kriminal të shtetit.

“Ky është dështim total dhe kriminal i shtetit. Derisa partia që doli e para nga zgjedhjet në rahatinë e vet vazhdon bllokadën ndaj shtetit, punëtorët tanë po shkojnë në punë pa e ditur se a do të kthehen të gjallë në shtëpi. Ku mbeti premtimi i madh i kësaj Qeverie për rritjen e numrit të inspektorëve dhe sigurinë në punë?”, ka shkruar Ramadani në Facebok.

KEK-u do ta formojë një task-forcë për sigurinë industriale dhe shëndetin në punë

1 muaj më parë / 20 gus 2026 22:57
kosova a

Foto: Ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se do të formohet një task-forcë, në të cilën do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës, e cila do të ketë detyrë ta bëjë rishikimin e plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë. 

Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK-ut kanë mbajtur një takim të jashtëzakonshëm të enjten, pasi edhe një punonjës i KEK-ut humbi jetën në vend të punës. Është punëtori i dytë i KEK-ut brenda tri ditëve që vdiq në vend pune, ndërsa i katërti brenda vitit. 

“Në kuadër të masave konkrete, Bordi ka kërkuar që të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë. Në këtë drejtim, KEK Sh.A. do të formojë një Task Force për Sigurinë Industriale dhe Shëndeti në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Task Forca do të ketë për detyrë të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre. Po ashtu, vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht është në fazën e implementimit. Rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë gjithashtu si një nga bazat për ndërmarrjen e masave të mëtejshme për eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve në vendet e punës”, thuhet në njoftimin e Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të KEK-ut. 

Bordi ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të njoftohen për hapat dhe masat konkrete që do të ndërmerren për forcimin e sigurisë në punë. 

“Bordi dhe Menaxhmenti mbeten të përkushtuar që siguria dhe shëndeti i punëtorëve të jenë prioritet absolut i Korporatës. Asnjë objektiv operacional apo i prodhimit nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve. Në ditët në vijim, do t'ju njoftojmë për hapat dhe masat konkrete që do të ndërmerren për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë”. 

Sindikata e KEK-ut: S’duam reagime pas tragjedive, por veprime para se të humbet jeta e radhës

1 muaj më parë / 20 gus 2026 21:26
KEK

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas vdekjes së një punëtori tjetër të KEK-ut në vendin e punës. Vetëm këtë vit katër punonjës të KEK-ut kanë humbur jetën në vendin e punës. 

Sindikata ka thënë se nuk mjaftohet vetëm të reagohet pas tragjedive, por duhet vepruar para se të humbet jeta e radhës. 

“Menaxhmenti, Bordi, Ministria dhe të gjitha strukturat përgjegjëse duhet të kalojnë nga reagimi pas ngjarjes te parandalimi para ngjarjes. Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë. Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti nuk duhet të bëhen vetëm pjesë e një komunikate ngushëllimi dhe më pas të harrohen. Kujtimi për ta duhet të shndërrohet në përgjegjësi, masa konkrete dhe ndryshim të mënyrës së menaxhimit të sigurisë dhe të punëtorëve. Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, thuhet në komunikatë. 

 


 

Ndalohet një person për rastin e vdekjes së punëtorit në KEK

1 muaj më parë / 20 gus 2026 21:11
Termocentrali Kosova A

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person me inicialet A.K. është ndaluar për 48 orë, lidhur me vdekjen e punëtorit në Korporatën Energjetike të Kosovës të enjten.

Siç ka njoftuar sot gjatë ditës KEK-u, punëtori vdiq pasi ra në kontakt me tension elektrik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i ndaluari dyshohet për veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Rizvanolli kërkon hetime urgjente për vdekjen e punëtorit në KEK

1 muaj më parë / 20 gus 2026 18:56
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar që urgjentisht të kryhen hetime administrative në Korporatën Energjetike të Kosovës, pas vdekjes së një punëtori të enjten.

Në një shkrim në Facebook, Rizvanolli ka bërë të ditur se ka kërkuar nga bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut që të jepet llogari nëse konstatohet se ka pasur neglizhencë në punë apo shkelje të protokolleve të shëndetit dhe të sigurisë. Tutje ajo ka thënë se ka kërkuar po ashtu rivlerësim të sigurisë së punëtorëve dhe zbatim rigoroz të masave.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti. Familjes Ahmeti, të afërmve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Përderisa presim që organet kompetente të hetojnë këtë rast, nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut kam kërkuar që urgjentisht të sigurojnë hetim administrativ të rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë.  Njëkohësisht, nga KEK-u kam kërkuar veprime emergjente për të rivlerësuar masat e sigurisë së punëtorëve dhe për të garantuar zbatimin rigoroz të tyre”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

Sipas njoftimit të KEK-ut, punonjësi vdiq pasi ka rënë në kontakt me tensionin elektrik gjatë zhvendosjes së disa kabllove.

Brenda një muaji, në KEK kanë humbur jetën tre punëtorë si pasojë e lëndimeve në vendin e punës.