Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe një javë afat, posti i presidentit mbetet në nivel ambiciesh

LIVE: Kuvendi i Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Kur ka mbetur edhe një javë kohë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, synimin për t’i hyrë kësaj gare e ka shprehur të enjten profesori universitar, Arsim Bajrami. Në letrën drejtuar partive politike, Bajrami ka thënë se mund të jetë njëri nga kandidatët konsensualë për president, derisa ka kërkuar unitet mes partive për shmangien e zgjedhjeve të reja

Akademiku e ish-ministri i Arsimit dhe i Administratës Publike, Arsim Bajrami, e ka shpallur kandidaturën për president të enjten, kur ka mbetur edhe një javë kohë për përfundimin e afatit kushtetutës për zgjedhjen e udhëheqësit të shtetit.

Nëpërmjet një letre publike, Bajrami u ka kërkuar udhëheqësve të partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend që të ndërtojnë unitet politik, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja po qe se presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 mars.

Në këtë funksion, Bajrami e ka kërkuar mbështetjen e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si dhe partive në opozitë – Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai është shprehur i bindur se i përmbush kushtet për të qenë kandidaturë konsensuale.

“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensualë për president të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami në letër.

Sipas Kushtetutës, secili shtetas i Kosovës mund të nominohet kandidat për president po qe se i siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

“Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.

Deri më tash, synimin për edhe një mandat e ka shprehur më herët edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani.

Për çështjen e zgjedhjes së presidentit, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar së fundi takime të ndara me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe me atë të PDK-së, Bedri Hamza.

Në partinë e Hamzës të enjten nuk kanë pranuar që të flasin për emra të përveçëm për president teksa kanë shprehur gatishmërinë për ta nxjerrë në kandidat.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se president duhet të jetë dikush që e përfaqëson pushtetin dhe opozitën.

“Nuk është se po dua të lëshohem në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pasur qasje të njëanshme dje, dikush që e përfaqëson veç një grup apo një subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Në këtë nivel jemi duke folur në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyeshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”, ka theksuar ai.

Optimist për gjetjen e një zgjidhje për presidentin është shprehur deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli. Ai ka vlerësuar se Vjosa Osmani është kandidatja e qëlluar për postin e presidentit, porse si subjekt politik nuk i ka votat e mjaftueshme.

“Mendoj që Vjosa Osmani është kandidatja e duhur, besoj që edhe partneri i koalicionit tonë, Vetëvendosja, është pro Vjosa Osmanit. Ju e dini që nuk mjafton 66 vota tona, por as votat Vetëvendosje-Guxo nuk mjaftojnë, na duhet një konsensus më i gjerë dhe në këtë kuptim na duhen edhe minimumi edhe 15 vota të cilat ne nuk i kemi, nuk është çështja për dy vota, por për 15 dhe prandaj roli i opozitës në këtë rast është i madh për të vendosur se a duhet të vazhdohet mandati i Osmanit apo ka ndaj ide për një emër tjetër”, është shprehur ai.

Si opsion për postin e presidentit janë përmendur së fundi anëtarë të familjes së heroit, Adem Jashari. Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka theksuar të mërkurën që në rast se do të vinte një emër për president nga kjo familje, atëherë ai do të ishte “konsensus automatik” në shoqëri. Edhe kryeministri Kurti, ditë më parë ka qëndruar në Prekaz te familja Jashari dhe ka konfirmuar se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”. Emra nga kjo familje, edhe në të kaluarën janë përmendur si kandidatë potencialë për president, porse asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar. E një ditë më parë, në këtë familje kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të kandiduar për postin e presidentit të vendit.

Arbëresha Loxha, e cila është hulumtuese në Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), ka theksuar se për arritjen e konsensusit, kandidati për president duhet të jetë emër i pranueshëm për të gjithë dhe të jetë faktor uniteti.

“Edhe në të kaluarën edhe tash po shohim që partitë politike po kalkulojnë, po kalkulojnë dhe disa prej tyre po kalkulojnë në kuptimin e mospërmendjes së emrave, disa po rezervohen dhe po kërkojnë marrëveshje politike që të votojnë presidentin e ardhshëm”, është shprehur ajo.

Mungesa e marrëveshjes mes partive parlamentare dhe paqartësia nëse Osmani do ta fitojë mbështetjen e nevojshme për t’u rizgjedhur, kanë bërë që vendi të rrezikojë të futet në një krizë të re.

Deri më tani, Kurti është takuar me kryetarët e dy partive kryesore në opozitë porse këto takimet, përveç kërkesës për një figurë unifikuese ose për marrëveshje politike, nuk kanë rezultuar me diçka konkrete.

E lidhur me këto takime, kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka zhvilluar të enjten një aksion simbolik në Prishtinë. Me këtë rast, ai ua ka dërguar përpara selive të partive të Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut kartat e anëtarësisë në Lëvizjen Vetëvendosje, duke i paraqitur ata dy si anëtarë nderi të partisë në pushtet.