Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e ka hequr Kosovën nga lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit.
Këtë e ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës përmes një postimi në Facebook.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpreh mirënjohjen e thellë ndaj FMN-së për këtë njohje të rëndësishme të progresit institucional dhe qëndrueshmërisë makro-financiare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me lajmin ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka thënë se është i kënaqur që FMN-ja e ka hequr Kosovën nga kjo listë.
“Jam shumë kënaqur që Kosova është hequr nga lista e Vendeve të Brishta dhe të Prira ndaj Konfliktit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar duke ndjekur të njëjtin vendim të mëparshëm nga Banka Botërore. Ky njohje është rezultat i punës së palodhur dhe të përkushtuar që qeveria jonë ka bërë gjatë katër viteve të fundit — dhe është vetëm një hap drejt arritjeve që na presin”, ka shkruar ai në X.
Të njëjtin veprim e ka bërë edhe Banka Botërore ditë më parë.
Heqjen e Kosovës nga kjo listë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e pati vlerësuar si moment domethënës, që pasqyron progresin e vazhdueshëm të vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.
BQK-ja ka listuar disa nga përfitimet kryesore që priten për Kosovën pas këtij vendimi.
“Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit; Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të vlerësimeve për rrezik financiar; Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; dhe Komplementon vlerësimin e parë të sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit”, thuhet në komunikatë.