Banka Botërore e ka larguar Kosovën nga Lista e shteteve fragjile dhe në situatë konflikti.
Heqjen e Kosovës nga kjo listë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka vlerësuar si moment domethënës, që pasqyron progresin e vazhdueshëm të vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.
BQK-ja ka listuar disa nga përfitimet kryesore që priten për Kosovën pas këtij vendimi.
“Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit; Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të vlerësimeve për rrezik financiar; Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; dhe Komplementon vlerësimin e parë të sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit”, thuhet në komunikatë.
Kjo arritje sipas BQK-së forcon më tej besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe “përforcon përpjekjet e përbashkëta të institucioneve për realizimin e vizionit tonë afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje financiare dhe integrim evropian”.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati ka thënë se këtë javë kanë pranuar njoftimin që Kosova është larguar nga kjo listë.
Edhe
Edhe FMN-ja e heq Kosovën nga lista e shteteve me situatë konflikti
Sipas tij ky ndryshim përbën avancim të jashtëzakonshëm dhe “i vulos arritjet tona si shtet duke dëshmuar stabilitet institucional dhe qëndrueshmëri ekonomike”.
“Ky lajm i mirë padyshim se do të ketë ndikim pozitiv në perceptimin ndërkombëtar karshi Republikës së Kosovës dhe e rritë besueshmërinë e investitorëve të huaj. Njëkohësisht, kjo dëshmon edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Bankën Botërore, por edhe koordinimin jashtëzakonisht të mirë në mes të institucioneve vendore si MFPT dhe BQK”, ka shkruar Murati në Facebook.