Arbëri

Edhe dy klasa në Podujevë kalojnë në mësim online

Shtimi i rasteve me koronavirus në shkollat e Komunës së Podujevës, i ka çuar edhe dy klasa të tjera në mësim online.

Dy klasa të Shkollës Fillore “Shaban Shala” kanë kaluar online pasi dy mësuese, tre arsimtarë dhe shtatë nxënës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur për KOHËN drejtori i Shkollës Rafet Berisha.

Shkollën e ka vizituar gjatë ditës edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Kryetari Bulliqi ka vizituar shkollën fillore dhe të mesme të ulët ‘Shaban Shala’ ku u njoftua nga afër me zhvillimin e procesit mësimor në këtë shkollë, ku disa mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe për pasojë dy paralele po zhvillojnë mësimin online. Me këtë rast kryetari Bulliqi ka kërkuar zbatim dhe kujdes maksimal të masave anticovid, në mënyrë që edhe kjo valë e infeksionit të tejkalohet me sa më pak pasoja”, thuhet nga Komuna.

Para dy ditësh KOHA ka raportuar se nga një klasë në shkollat “Naim Frashëri” në qytet, “Pavarësia” në Sibofc dhe SHMT “Fan S. Noli” kanë kaluar në skenarin A, pas infektimeve me koronavirus të mësimdhënësve.

Bulliqi ka thënë se numri i personave të infektuar me koronavirus në qytet është në rritje, derisa numri i rasteve aktive është 110. Aktualisht s’ka asnjë të hospitalizuar.

“Ndërsa, janë rreth 80 mijë doza vaksina të administruara”, është shprehur Shpejtim Bulliqi.