Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, bashkë me Nënkryetarin Muhedin Nushi, prezantuan sot e-kiosku e ri, me shumë funksione të reja, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.
Përveç certifikatës së lindjes, ekstraktit, certifikatës së vendbanimit, certifikatës së shtetësisë, certifikatës së martesës, tani në e-kioskun e ri do të mund të nxirret dhe të paguhet aty për aty fatura e tatimit në pronë. Për më tepër, në këtë e-kiosk, është edhe hapësira për informimin e turistëve, Turist Info.
Në të njëjtin aparat është i vendosur edhe telefoni që lidhet direkt me Qendrën e Thirrjeve të Komunës, ku secili qytetar mund ta informojë Komunën për çdo parregullsi.
Sipas kumtesës, Prishtina tash për tash do t’i ketë 4 e-kiosqe të tilla që do të vendosen: Te Komuna e re, në Kodrën e Trimave, ë Qendrën e Regjistrit Civil, dhe në bashkësinë lokale në Ulpianë.
Kumtesa thotë se ky e-kiosk aktualisht është më i avancuari në rajon për nga shërbimet.
Kjo pajisje është multilinguale (shqip, serbisht dhe anglisht) për produkte kryesore, por do të funksionalizohen edhe gjuhët tjera kryesore botërore për nevoja të turistëve që e vizitojnë qytetin tonë.
Më poshtë mund të gjeni të gjitha produktet që mund të shfrytëzohen nga kjo pajisje:
- DOKUMENTET NGA GJENDJA CIVILE
- Certifikatën e Lindjes
- Certifikatën e Lindjes për Fëmijë
- Ekstraktin e Lindjes
- Certifikatën e Vendbanimit
- Certifikatën e Shtetësisë
- Certifikatën e Martesës
- SIM KARTELAT (në bashkëpunim me operatorët e telefonisë mobile)
- TopUp – rimbushjen e llogarive të tyre
- INFO TURISTIKE
- Guida turistike “Eja në Prishtinë”
- TATIMI NË PRONË (në bashkëpunim me MEF)
- Shtypja e faturës
- Pagesa e faturës
- Vërtetimi për pagesën e tatimit në pronë
- EUR
- Pagesat me kartëmonedha me kthim të kusurit
- Pagesat me monedha metalike me kthim të kusurit
- IDENTIFIKIMI (identifikim i duplifikuar)
- Përmes Numrit Personal, dhe
- Njohja e fytyrës (face recognition)
- NDIHMA QYTETARËVE
- Vetëm duhet të ngrihet telefoni dhe të komunikoni menjëherë me Qendrën e Thirrjeve të Komunës
Aparatura do të mundëson edhe shtypjen e biletave të trafikut urban, leximin e kartave të ndryshme si dhe të produkteve tjera të cilat do të shfrytëzohen në të ardhmen në Prishtinë.
CDM do të funksionalizohet plotësisht gjatë ditëve në vijim, kur edhe do të ofrohet në shfrytëzim për qytetarët. Pritet të arrijnë edhe 3 (tri) aparatura të njëjta do të mbulojnë një pjesë të madhe të Prishtinës.