Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se dy të arrestuarit e fundit nën dyshimin për spiunazh, dyshohet se kishin ndihmuar shërbimin inteligjent të Serbisë (BIA).
Një ditë më parë, nën dyshimin për spiunazh u arrestua H.S.. Ndërkohë në mars ishte arrestuar edhe Jelena Gjukanoviq.
Për të dy, në një përgjigje për KOHËN, Prokuroria ka konfirmuar se “të arrestuarit e cekur, kanë ndihmuar BIA-n Serbe!”
E pyetur për telefonat e sekuestruar, Prokuroria ka thënë se nuk mund të ofrojë informata mbi këtë çështje.
Krahas këtyre rasteve, edhe tre persona të tjerë po dyshohen për spiunazh kundër Kosovës e në favor të Serbisë.
Njëri nga të dyshuarit është Aleksandar Vllajiq, i cili është po ashtu i akuzuar për sulmin terrorist të 2022-tës në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Ndaj dy të tjerëve, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë muajin e kaluar.
Prokuroria Speciale pretendon se Shabani ka çuar informata te Agjencia për Inteligjencë të Sigurisë të Serbisë lidhur me UÇK-në, e Qerimi ka dërguar informata në BIA lidhur me atë se kush i mban cilat pozita në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor.
Një muaj paraburgim të dyshuarit për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit H.S. për spiunazh.
H.S. qe arrestuar më 6 maj nën dyshimin se kishte ndihmuar shërbimin inteligjent të Serbisë.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale. Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjta mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ka konsideruar se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.