Zyrtarë të Qeverisë aplikojnë qasje të ndryshme në takimet ku u kërkohet të përfaqësohen me fusnotë. Dy ditë pas Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës e Serbisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, refuzoi pjesëmarrjen në Konferencën e Donatorëve për tërmetin në Turqi e Siri. Por para tij, në një konferencë të ngjashme për tërmetin në Shqipëri kishte marrë pjesë me asteriks zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. E prezantimet me fusnotë nuk i kishte refuzuar as kryeministri Kurti. Derisa në Qeveri nuk kanë ofruar sqarime, ata të BE-së i kanë thënë KOHËS se vendosja e asteriksit për Kosovën vazhdon të mbetet në fuqi. Ata kanë përmendur edhe rrethanat kur kjo mund të ndryshohet
Fusnota mbetet në fuqi për Bashkimin Evropian, pavarësisht refuzimit të disa qeveritarëve që Kosovën ta përfaqësojnë me të. Dy ditë pas Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës e Serbisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, refuzoi pjesëmarrjen në Konferencën e Donatorëve për tërmetin në Turqi e Siri, ku nikoqir ishte BE-ja. Kjo për shkak të kërkesës së BE-së që përfaqësimi të bëhet me fusnotë, me të cilën kolegët e Muratit në Qeveri dhe vetë kryeministri janë prezantuar në të kaluarën.
Murati shkroi në rrjetet sociale se ai nuk mundi të merrte pjesë në konferencën e 20 marsit dhe të kontribuonte për shkak të trajtimit jokorrekt dhe diskriminues nga organizatori.
“I cili këmbënguli në përdorimin e fusnotës në kundërshtim me shkronjat e marrëveshjes fillestare të Brukselit, dhe frymën e konferencës së sotme”, ka shkuar ai.
Por Murati nuk e ka specifikuar e as Qeveria nuk ka ofruar sqarime shtesë se cilat aspekte të Marrëveshjes u shkelën dhe nëse kanë ndryshuar qasjen në raport me fusnotën.
BE-ja e gatshme të nisë procesin e rivlerësimit të fusnotës
E për Bashkimin Evropian asteriksi do të mbetet në fuqi, teksa kanë dhënë sqarimin për konferencën të cilën e refuzoi ministri Murati.
“Konferenca e donatorëve u organizua nga BE-ja dhe udhëzimet e brendshme të BE-së që rregullojnë emërtimin e Kosovës u zbatuan sipas praktikës standarde. Këto udhëzime mbeten në fuqi derisa të modifikohen, gjë që kërkon konsultime të brendshme brenda institucioneve të BE-së. Këto udhëzime nuk ishin temë në negociatat që çuan në Marrëveshjen në Ohër”, shkruan në përgjigjen dërguar KOHËS nga Komisioni Evropian.
Megjithëkëtë, BE-ja është shprehur e gatshme ta nisë procesin për rivlerësimin e udhëzimeve të brendshme.
“Por përgjegjësia është mbi palët që fillimisht të përmbushin angazhimet e tyre dhe të japin arsyetimin për këtë vlerësim”, kanë thënë ata.
Ndryshe prej Muratit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve pas tërmetit në Shqipëri më 2019, organizuar nga Komisioni Evropian, edhe pse me asteriks. Por Bislimi tash e mbështeti kolegun e tij në refuzimin që i bëri konferencës për Sirinë e Turqinë.
“Është e padrejtë, si dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe me karakterin e kësaj konference. Kosova është një partner i besueshëm për aleatët e saj, organizatat ndërkombëtare dhe iniciativat e përbashkëta. Ndihma dhe mbështetja jonë u pamundësuan sot nga organizatori”, ka shkruar Bislimi në Twitter.
Edhe kryeministrit Albin Kurti ishte paraqitur me fusnotë në forume ndërkombëtare. Shefi i ekzekutivit pati shprehur pakënaqësinë në referimin e Kosovës me fusnotë edhe në raportin “Promovimi i demokracisë lokale”, i publikuar nga Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës.
“Fusnota nuk paraqet realitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, po as Marrëveshjen e Brukselit. Në raport është përdorur fusnota sa herë është përdorur termi Kosovë. Ky keqinterpretim dhe keqcitim duhet përmirësuar”, kishte deklaruar Kurti.
“Test për BE-në”
Analisti Visar Xani thotë se refuzimi i qeveritarëve mund të jetë një taktizim në pritje të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian.
“Realisht çdo përfaqësim i Kosovës është mirë që të jetë përfaqësim i unifikuar, një përfaqësim i cili është i qëndrueshëm dhe u përmbahet edhe parimeve dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel, të cilat fatmirësisht ose fatkeqësisht në njërën anë na prezantojnë me fusnotë, në anën tjetër na japin një mundësi përfaqësimi, e cila në të kaluarën ka qenë e pamundur, pra që në konferenca e takime të rëndësishme rajonale të marrim pjesë. Duke pasur parasysh të dyja këto probleme, marrëveshja ishte si një lloj kompromisi që Kosova të përfaqësohej me fusnotë në takimet rajonale”, ka thënë Xani, ish-këshilltar i kryenegociatores Edita Tahiri.
“Ndoshta kjo është një lëvizje taktike e Qeverisë së Kosovës duke pasur parasysh se tash po pritet një marrëveshje e cila rregullon marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si dhe përfaqësimin e Kosovës. Ndoshta është ajo marrëveshje e cila mund ta eliminojë asteriksin ose fusnotën dhe mund të jetë një hap taktik për të përgatitur terrenin, por edhe për të testuar në përgjithësi ata të cilët na ftojnë si Kosovë, se sa janë të gatshëm që të na ftojnë pa fusnotë”.
Sipas Xanit, fusnota mund të hiqet vetëm nëse kemi zbatim të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian, i njohur edhe si Plani franko-gjerman.
“Ilaçi i vetëm për fusnotën është zbatimi i marrëveshjes për planin evropian. Deri atëherë e kemi të pamundshme. Mund të jetë një hap taktik diplomatik që Kosova do ta provojë si hap testimi. Mirëpo është e pamundshme që të ndikojë në mirëkuptimin e Bashkimit Evropian, sepse mbetet në fuqi marrëveshja e cila është zbatuar dhe do të zbatohet deri në një moment tjetër kur të kemi marrëveshje tjetër që do ta tejkalojë ose do ta bëjë të parëndësishme marrëveshjen e mëhershme për përfaqësimin rajonal të Kosovës”, ka potencuar Xani.
Marrëveshja e fusnotës ishte arritur në procesin e dialogut teknik, më 24 shkurt 2012.
Fusnota ka këtë përmbajtje: “Ky shënim është pa paragjykim të qëndrimeve për status dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
Rezoluta 1244 njeh autoritetin mbi Kosovën të trashëgimtares së ish-Jugosllavisë, Serbisë.
Deformimi i fusnotës
Përveçse nuk u shkri, ndër vite fusnota është deformuar, ku mungon pjesa e cila i referohet opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkitazi me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Veç paraqitjes së zyrtarëve të shtetit me fusnotë, ajo është prezente edhe në dokumentet evropiane.
Kësisoj, në një raport të lëshuar nga Sekretariati i Konventës së Këshillit të Evropës për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, i njohur si “Greta”, fusnota është deformuar.
Përveç paraqitjes së asteriksit në secilin rast ku citohet Kosova, ajo nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Referenca se emri Kosovë nuk paragjykon statusin dhe është në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara nuk është shoqëruar edhe me Opinionin e GJND-së.
“Të gjitha referencat për Kosovën, qoftë territor, institucion apo popullsi, në këtë tekst do të kuptohen plotësisht në pajtueshmëri me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës”, thuhet në përshkrimin që i bëhet fusnotës. Kësisoj, fusnotës i mungon përshkrimi se - “Ky shënim është pa paragjykim të pozicioneve për status dhe është në linjë me RKSB 1244 dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë”, thuhet në pikën 3 e cila flet për aranzhimet lidhur me përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal.
Problemet me fusnotën konfirmohen edhe në dokumentet e brendshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sikurse ai i vitit 2019 që për autor ka ish-drejtorin e MPJ-së, Albert Prenkaj.
“Degjenerimin e fusnotës e dëshmojmë në Këshillin e Evropës, në të cilën RKS trajtohet me asterisk/fusnotë të gjymtuar (pra vetëm 1244, pa GJND); MSA si mekanizëm që siguron vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, gjithashtu trajton RKS-në me fusnotë. Ajo që ngre shqetësimin është se edhe vendet që e kanë njohur RKS-në me emrin e saj kushtetues në margjina të organizimeve të forumeve rajonale, jashtë kontekstit rajonal të Ballkanit, e trajtojnë RKS-në me fusnotë”, shkruan në këtë dokument.
“Deri më tani tendenca për të futur në funksion të asteriksit/fusnotës në forume dhe margjina të ndryshme, tashmë ka marrë përmasa të cilat e shndërrojnë RKS në një lloj surrogati shtetëror. Lexuar nga prizmi i Rezolutës 1244, Serbia po përpiqet ta kthej RKS-në në nivel të entitetit politik/territorial dhe juridik ndërkombëtar. Ajo tashmë në vazhdimësi i qaset Qeverisë dhe institucioneve të RKS-së si Institucione të Përkohshme, ashtu siç i trajton UNMIK-u”.
Me këtë rast ishte rekomanduar që të dërgohen nota verbale tek nismat rajonale, si ta zëmë Procesi Brdo Brijuni, jashtë kontekstit rajonal të Ballkanit që Kosova të trajtohet sipas dispozitave të saj kushtetuese dhe njohjes nga vendet anëtare të këtyre nismave. Po ashtu, ishte kërkuar t’u dërgohen nota verbale të gjitha vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën që të refuzojnë ta trajtojnë me fusnotë në margjina të organizimeve të mekanizmave ndërkombëtarë.