Komuna e Pejës e ka përfunduar javën që shkoi procesin njëmujor të zgjedhjeve të kryetarëve dhe anëtarëve të ri të Këshillave Lokalë në këtë komunë. Ky proces zgjedhor, së pari është zhvilluar në Bashkësitë Lokale në fshatra e pastaj në qytet. Në këtë komunë janë 30 këshilla lokalë. Prej tyre 15 në pjesët rurale, 13 në qytet dhe dy në trevën e Rugovës. Këto 30 këshilla lokale mbulojnë 78 fshatra dhe 56 lagje urbane.
Varësisht sa fshatra i mbulon një këshill lokal aq anëtarë edhe i ka, të cilët janë përfaqësues të zgjedhur paraprakisht nga secili fshat. Kryetarët ë Këshillave lokalë janë zgjedhur me votë të fshehtë nga qytetarët pjesëmarrës në kuvendet zgjedhore në secilën bashkësi territoriale.
“Kanë përfunduar zgjedhjet e kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillave Lokal. Procesi ka shkuar shumë mirë”, ka qenë vlerësimi për këto zgjedhje i drejtorit të Administratës Komunale, Fatmir Asllani, i cili në komisionin shtatë anëtarësh që ka drejtuar këtë proces, ka përfaqësuar Ekzekutivin e Komunës së Pejës.
Katër anëtarë të tjerë në këtë komision kanë qenë përfaqësues të katër subjekteve më të mëdha në Kuvendin e Pejës, LDK-së, AAK-së, PDK-së dhe LVV-së. Një anëtar i komisionit ka qenë nga shoqëria civile, konkretisht nga OJQ “Syri i Vizionit”, kurse anëtar i shtatë ka qenë përfaqësues i asaj Bashkësie Territoriale ku është mbajtur zgjedhja. Edhe shoqëria civile e ka vlerësuar si të mirë këtë proces të zhvilluar në Bashkësitë Lokale.
“Procesi në përgjithësi është organizuar mire dhe ka pas një pjesëmarrje të kënaqshme nga qytetarët, krahasuar edhe me zgjedhjet e para tri viteve. Ne kemi shikuar në vazhdimësi a po zbatohet në përpikëri rregullorja komunale”, u shpreh Veton Mujaj, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit”, e cila organizatë ka qenë edhe iniciatore e idesë dhe bërjes së rregullores për këto këshilla, të cilët Peja i ka themeluara e para në Kosovë.
E veçantë e këtij procesi, siç tregoi Mujaj, ka qenë pjesëmarrja më e madhe e grave në votime dhe në Bashkësinë Lokale “Haxhi Zeka” dhe në “2 Korrik” janë zgjedhur femra kryetare të këshillave lokal. Sipas rregullores komunale për këshillat lokal, për kryetar të këshillave nuk vlen 30 përlindshi gjinor, pasi siç thotë drejtori i Administratës Komunale, Fatmir Asllani, zgjedhja e tyre është çështje e vullnetit të delegatëve në kuvendin zgjedhor se kënd ata e votojnë. Rregullorja parasheh që në këta këshilla duhet të jenë të përfaqësuara të gjitha komunitete si dhe zbatimin e ligjit të barazisë gjinore me 30 përqindëshin e përfaqësimit të femrave si anëtare në këta këshilla lokal.
Sikur mandatin e kaluar edhe këtë mandat femrat janë përfshirë si anëtarë të këshillave lokal. Asllani tregoi se kryetarët bashkë me anëtarët e zgjedhur të këshillave, janë të obliguar të mbajnë takime të rregullta në lokalitete që i përfaqësojnë, dhe kërkesat e nevojat e qytetarëve që i marrin në terren, janë të obliguar me ia përcjellë komunës, për investime në vendbanimet e tyre, pasi sipas tij shumica e kërkesave që kanë ardhur prej këshillave lokale tre vjetët e kaluar janë përfshirë në planifikimin e projekteve për çdo vit.
Parregullsi në Bashkësinë Lokale “Dardania I”
Pavarësisht vlerësimeve pozitive të komisionit zgjedhor, megjithatë procesi nuk ka shkuar pa asnjë problem. Parregullsi në procesin e zgjedhjes ës kryetarit të këshillit lokal është shënuar në Bashkësinë Lokale “Dardania I”. “Ka një ankesa nga një kandidat që ka qenë për kryetar të këshillit aty.
Sipas ankesës së tij, në atë zgjedhje kanë votuar për kandidatin tjetër edhe disa qytetarë të bashkësisë lokale ‘Dardania II’, që nuk kanë pas të drejtë vote aty dhe ka gjasa që përsëriten zgjedhjet në bashkësinë lokale ‘Dardania I’. Tash komisioni i ankesa janë duke u marr me këtë rast. Nëse komisioni sjell vendim për përsëritjen e zgjedhjeve për atë këshill lokal atëherë ditët e ardhshme edhe do të ndodhë, derisa ende e kemi komisionin zgjedhor të këshillave”, u shpreh Asllani. Ky komision i ankesave i përbërë nga tre këshilltarë të Kuvendit Komunal, ka mbledhur informatat rreth këtij rasti në “Dardania I” dhe siç tregoi Fjolla Dembogaj, njëra prej tre anëtarëve të këtij komisioni, komisioni do të vendosë më së largu deri të martën për vendimin që do të sjellë.
“Kemi mbledhur informacionet se disa qytetarë të një bashkësie tjetër lokale kanë votuar në zgjedhjet për kryetar të këshillit lokal në ‘Dardania I’. Tendenca e komisionit është që të përsëriten zgjedhjet për atë këshill lokal dhe të martën vendosim, pasi komisioni këtë fundjavë nuk ka mundur të mblidhet”, tregoi Dembogaj se pothuajse është e sigurt që zgjedhjet do të përsëritën në atë Bashkësi lokale, e pastaj komisioni zgjedhor do ta caktojë edhe datën kur do të rimbahen zgjedhjet në “Dardania I”.
Vendet e rajonit tregojnë interesim për Këshillat Lokalë të Pejës
Këshillat Lokalë në Komunën e Pejës janë themeluar në vitin 2015 dhe me këto këshilla Peja është një hap para të gjitha komunave të tjera në vend, madje edhe për vendet e rajonit Komuna e Pejës po merret si model me Këshillat e saj Lokalë për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Me iniciativën e organizatave partnere të rajonit dhe ftesën e Komunës së Pejës dhe me mbështetje direkte nga “Olof Palme International Center”, institucionet e Komunës së Vlorës së Shqipërisë dhe Pozheges së Serbisë, si dhe të organizatave të shoqërisë civile nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, konkretisht të qyteteve Vlora, Pozhege, Knjazhevac, Shkupi, Piroti, Struga dhe Shtipi, kanë qëndruar për dy ditë resht në komunën e Pejës, ku nikoqir ishin institucionet komunale dhe OJQ “Syri i Vizionit”. “Komunat dhe organizatat nga këto vende nga rajoni kanë qenë për të parë për së afërmi procesin e zgjedhjeve të Këshillave Lokal dhe për të marr për vete si një model të mirë.
Ata, së bashku me neve dhe me kryetarin e Komunës dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal të Pejës, kanë marrë pjesë edhe në procesin e zgjedhjeve në njërën nga Bashkësitë Lokale, ku ata kishin mundësi që të shohin drejtpërdrejtë procesin e zgjedhjeve si tërësi votimin, numërimin e deri te shpallja e kryetarit dhe anëtarëve të këshillit, si dhe punën e komisionit zgjedhor, që është krijuar nga Kuvendi Komunal”, tregtoi Veton Mujaj, drejtor i OJQ “Syri i Vizionit”, për interesimin që po tregojnë përfaqësuesit e institucioneve komunale dhe shoqërisë civile nga këto tri vende të rajonit për Këshillat Lokal të Pejës.
Sipas Mujajt, ata kanë ardhur në Pejë, në kuadër të programit “Fuqizimi i rolit të Shoqërisë civile për të iniciuar përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse”, të mbështetur nga “Olaf Palme International Center” dhe e përkrahur nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA). Themelimi i Këshillave Lokalë në Komunën e Pejës ka qenë iniciativë e OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, e cila, gjithashtu ka qenë iniciuese edhe e punimit të rregullores komunale për Këshillat Lokalë, e cila pastaj është miratuar në Kuvendin Komunal.
“Prej vitit 2011 e kemi nis këtë proces për krijimin e këshillave lokale. Kemi shikuar në ligjin për vetëqeverisje lokale, i cili ua lenë të drejtën komunave këtë organizim të brendshëm. Në nivelin lokal janë zgjedhjet, por problematika qëndronte në fshatra e lagje, sepse në çdo fshat e lagje secila parti e ka pas nga një kontakt dhe kur donin të bënin diçka për komunitetin e ngatërronin njëri tjetrin.
Dhe na pat ardhur ideja që në Bashkësitë Lokale t’i zgjedhim kryetarët dhe anëtarët që nuk janë përfaqësues politik dhe të cilët i mbrojnë interesat e lokaliteteve të veta. Dhe duke shikuar se si mund të organizohen, na erdhi ideja e krijimit të Këshillave Lokalë”, tregon Mujaj arsyen për një organizim të ri të Bashkësive Lokale në Pejë.
E veçantë e këtij procesi, siç tregoi Veton Mujaj nga OJQ “Syri i Vizionit”, ka qenë pjesëmarrja më e madhe e grave në votime dhe në Bashkësinë Lokale “Haxhi Zeka” dhe në “2 Korrik” janë zgjedhur femra kryetare të Këshillave Lokalë. Mirëpo, pavarësisht vlerësimit pozitiv për tërë procesin zgjedhor për kryetarë dhe anëtarë të 30 Këshillave Lokalë, nuk ka kaluar pa asnjë parregullsi, pasi në njërën prej Bashkësive Lokale kanë votuar për kryetar të këshillit edhe disa qytetarë të një Bashkësie tjetër lokale dhe komisioni i ankesave ndërkohë do të vendosë për përsëritjen e mundshme të zgjedhjeve në atë Bashkësi Lokale. Ilir Osmanaj.