Prej disa muajsh banorët e fshatrave dhe lagjeve urbane të komunës së Lipjanit kanë mbetur pa përfaqësues të tyre legjitim pasi që atyre i ka kaluar mandati. Ndërkohë procesi për t’i shpallur këto zgjedhje nëpër vendbanime dhe lagje urbane po vazhdon të zvarritet.
Zgjedhjet e këshillave dhe përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane e parasheh edhe ligji për vetëqeverisje lokale dhe udhëzimi administrativ i ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nr. 02/2019 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Po ashtu një gjë të tillë tashmë e parasheh edhe rregullorja komunale për bashkëpunim me fshatra dhe lagje urbane e cila është miratuar disa muaj më parë nga Kuvendi Komunal i Lipjanit me shumicë të votave. Ndërkohë komuna ka formuar edhe një komision të përbërë nga subjektet politike në KK, mirëpo proceset zgjedhore nëpër fshatra ende nuk kanë filluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLumturie Bytyqi- Hasani, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, njëherësh anëtare e komisionit për zgjedhjet e përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane, ka thënë se fatkeqësisht ka disa muaj që këshillat e fshatrave janë pa mandat pasi që tashmë mandati i tyre ka përfunduar dhe ende nuk kanë filluar as me përgatitjet fillestare për të filluar zgjedhjen e këshillave të reja të fshatrave dhe lokaliteteve tjera.
Sipas saj, Kuvendi i Komunës së Lipjanit ka aprovuar një Rregullore e cila është bazuar në Udhëzimin Administrativ të MAPL për zgjedhjen e këtyre këshillave. “Po ashtu Kuvendi ka formuar edhe komisionin, në të cilin jam edhe unë si anëtare e Kuvendit nga PDK-ja, por ne si komision ende nuk kemi arrit të bëjmë përgatitjet e para për të nisur këtë proces. Në bazë të Rregullores, procesi duhet të filloj nga 1 janar deri 31 mars, mirëpo ende nuk ka filluar.
Mirëpo, Komuna nuk është dashtë të pres 1 janarin për të filluar zgjedhjet sepse tashmë ka shumë kohë që i’u ka dalë mandati atyre, andaj zvarritja e procesit të këtyre zgjedhjeve është në dëm të lokaliteteve”, ka thënë Hasani. Sipas saj, disa komuna të tjera nuk e kanë pritur këtë afat të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ, por i kanë zgjedhë këshillat e reja menjëherë pas përfundimit të mandatit të këshillave paraprake.
Albulena Kelmendi, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se rreth dy muaj më parë, Kuvendi Komunal i Lipjanit ka miratuar propozimin e Kryetarit të komunës së Lipjanit për formimin e një komisioni për vlerësimin dhe zgjedhjen e këshillave të bashkësive lokale.
Sipas saj, këshillat e bashkësive lokale duhet të jenë parimore dhe objektivë derisa konsiderohen si mjeti i parë i banorëve të fshatrave për adresimin e kërkesave e shqetësimeve. Prandaj, sipas saj, përveç që kryesitë aktuale të këshillave të bashkësive lokale nuk kanë më legjitimitet, shumë prej tyre janë edhe të nënshtrueshëm ndaj pushtetit, e si rrjedhojë nuk bëjnë adresimin e kërkesave të banorëve të fshatrave për tek ekzekutivi.
Ramiz Qeriqi, kuvendar nga radhët e AAK-së, ka bërë me dije se shpeshherë pranon kërkesa dhe shqetësime nga qytetarët për t’ia adresuar ekzekutivit si pasojë e mungesës së këshillave dhe kryetarëve të fshatrave. Ai sqaron se në secilën seancë e gjithë debatin ia kushton interesit qytetar me qëllim të përmirësimit të jetesës së tyre.
Nga ana tjetër Avni Olluri drejtor i Administratës në Komunën e Lipjanit ka thënë se aktualisht fshatrat nuk i kanë të legjitimuar përfaqësuesit e tyre pasi që mandati u ka kaluar disa muaj më parë. Sipas tij, komisioni është duke i bërë përgatitjet për ta filluar një proces të ri zgjedhor i cili do të përfundoi deri në fund të muajit mars të këtij vitit.