Arbëri

Drutë e konfiskuara në Ferizaj u shpërndahen familjeve skamnore

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt ka iniciuar procedura për t’i shpërndarë gjithsejtë 130 metra kub dru të konfiskuara gjatë vitit 2021. Për shpërndarjen e këtyre druve, Drejtoria e Bujqësisë ka marrë pëlqimin edhe nga kuvendarët në mbledhjen e fundit në javën e kaluar. Por shqetësuese për qytetarët dhe shoqërinë civile në Ferizaj mbetet çështja e dëmtimit të pyjeve publike në masë të madhe, megjithëse disa herë është kërkuar që të zhvillohen projekte më të avancuara për mbrojtje të pyjeve.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë, Burim Bajrami ka sqaruar se para kuvendarëve ka bërë propozim-vendimin për shpërndarjen e druve të zjarrit për familjet skamnore.

“Do të shpërndahen një sasi prej 130 metër hapësinore e masës drusore të konfiskuara nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në bashkëpunim me organet tjera. Për këto familje do të shpërndahen nga 2 metra kub dru të zjarrit”, ka thënë Bajrami, duke sqaruar se komuna ka të gjitha listat e familjeve skamnore, mirëpo do të bashkëpunojnë edhe me institucionet tjera për t’i evidentuar familjet më skamnore.

Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet” në Ferizaj, ka thënë se pyjet janë dëmtuar në masë të madhe gjatë vjetëve të fundit.

“Dëmtimi i pyjeve ka vazhduar edhe gjatë 2021-s megjithëse institucionet kanë aplikuar disa projekte për mbrojtjen e pyjeve, mirëpo ato nuk mjaftojnë. Ne si shoqëri civile kemi kërkuar në vazhdimësi që komuna dhe institucione duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim për t’i mbrojtur pyjet sepse këto janë kërkesa edhe nga vetë qytetarët të cilët vazhdimisht paraqesin ankesa të tilla në OJQ-n tonë”, ka thënë Gashi.