Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Drejtoria e Arsimit fillon planin për sigurinë në shkollat e kryeqytetit

Nga 7 qershori ka filluar plani i veprimit për sigurinë në shkolla, ka thënë të martën drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

“U bëmë bashkë me drejtorë të shkollave, Policinë e Kosovës, OSBE-në, Departamentin e Psikologjisë dhe Departamentin e Edukimit në UP, Ministrinë e Arsimit, UNICEF, Këshillin Rinor, Këshillin e Prindërve, KEC, Save the Children dhe psikologë shkollor që të hartojmë një plan që ka për qëllim të rritë sigurinë në shkollat e Prishtinës”, ka shkruar Musmurati në Facebook.

Ajo ka njoftuar se Komuna e Prishtinës është zotuar për të bashkëpunuar pa ankesa për të kaluarën në mënyrë që të merren hapa konkretë për të ndikuar në rritjen e mirëqenies së nxënësve në shkolla.

Me këtë plan veprimi, sipas saj, do të trajtohet siguria fizike, bullizmi, ngacmimet dhe mirëqenia e nxënësve në kushtet pas pandemisë.