Drejtoria e Arsimit në kryeqytet gjatë kësaj jave ka nisur ta zbatojë projektin për vendosjen e kamerave të sigurisë në shkolla e kopshte.
Thonë se qëllimi kryesor është rritja e sigurisë në hapësirat edukative.
Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati, ka deklaruar se pos që presin të minimizohen rastet e dhunës, me vendosjen e kamerave do të funksionalizohet edhe rrjeti i kamerave nëpër institucione arsimore.
“Kamerat kanë filluar të vendosen nga java e kaluar. Në çdo shkollë dhe çerdhe që ka nevojë do të bëhen intervenimet e nevojshme, në disa shkolla ku nuk ka fare kamera, do t’i vendosim ato. Në disa shkolla ku janë prishur kamerat do t’i zëvendësojmë, ndërsa në disa të tjera do t’i sanojmë ato që mund të hyjnë prapë në funksion. Po besoj që deri në fund të janarit do t’i përfundojmë punimet”, tha Musmurati.
Për efektin e kamerave në objektet shkollore, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme thonë se është rritur niveli i sigurisë për nxënësit.
Ata tregojnë se në shkollat e tyre disa kamera janë vendosur më herët me ndihmën e prindërve dhe efekti, sipas tyre, ka qenë i jashtëzakonshëm.
“Kamerat janë vendosur qe 2 vjet dhe kanë qenë jashtëzakonisht funksionale, po them, komuniteti i prindërve ka ndihmuar. 1 vit na nuk e kemi pasur fare sigurimin e shkollës, e si rezultat i kësaj kemi vendosur kamerat. Domethënë në vend të sigurimit, i kemi vendosur kamerat edhe tash natyrisht që siguria është shumë më e lartë, për shkak se edhe i kemi kamerat ,edhe sigurimin në shkollë”, tha Haxhi Metaj, drejtor i Gjimnazit të Shkencave Shoqërore.
Deri në janar pritet të përfundojë vendosja e kamerave në shkollat e Prishtinës
“Pikat shtesë në të cilat i kemi qitë në disa pika më kyç kanë ndikuar shumë pozitivisht, se qato grupe të të rinjve, fëmijëve që rrinin pas orëve të vona, domethënë tash janë më të pakta. Ndodh shumë rrallë qe dalin në atë pjesë. Shkolla është më e sigurt, edhe brenda shkollës çka do që të ndodhë na me kontrollimin e kamerave mundemi me i parandalu sjelljet jo të mira të cilat ndodhen brenda në shkollë”, tha Mimoza Krasniqi, u.d. e drejtoreshës së SHFMU “Ismail Qemali”.
Kryetari Përparim Rama dhe ish-drejtori i Policisë së rajonit të Prishtinës, Fahredin Verbovci, patën arritur dakordim për vendosjen e kamerave të sigurisë në shkollat e kryeqytetit, me qëllim të parandalimit të dhunës në shkolla, përkatësisht rritjen e sigurisë në institucionet edukative.
Të pyetur nga KOHA se sa raste të dhunës në shkolla kanë ndodhur në kryeqytet gjatë këtij viti, Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
-
Nis vendosja e kamerave të sigurisë në shkollat e Prishtinës
-
Vazhdon vendosja e kamerave në shkollat e Prishtinës, komuna s’ka raporte për efektet e tyre
-
Drejtoria e Arsimit fillon planin për sigurinë në shkollat e kryeqytetit
-
Musmurati: Të gjitha shkollat dhe çerdhet në Prishtinë do të pajisen me kamera