Arbëri

Drejtori i USAID-it dhe monitoruesit tregojnë se si kurdisen tenderët në Kosovë

Drejtori i USAID-it për Kosovë, ka një rrëfim interesant se si veprohet me kurdisjen e tenderëve në Kosovë.

“Nëpër komuna të ndryshme diskutova me operues ekonomikë, të cilët më folën rreth prokurimit në mirëmbajtjen e rrugëve dhe të gjithë e dinë çmimin e kripës për rrugë. Por njëri prej ofertuesve ofroi çmim për 80% më të ulët se të gjithë ofertuesit e tjerë. Njerëzit që vendosnin për këtë çështje në komunë, i kishin duart e lidhura sepse sipas rregullave, çmimi më i ulët duhej të fitonte. Andaj, shqetësoheshin rreth kontratës, sepse natyrisht, furnizuesi nuk ishte në gjendje të ofronte kripë kualitative. E ky është një shembull i problemeve me të cilat njerëzit ballafaqohen, sepse ka të bëjë me sigurinë në rrugë. Nëse rrugët s’kanë kripë kualitative, rrezikohen shumë jetë”, ka thënë Stephen Carpenter, drejtori i USAID-it për Kosovë.

Ky është vetëm njëri ndër dhjetëra rastet kur Autoritete Kontraktuese vendosin për çmimin më të ulët, duke mos marrë për bazë kriteret e tjera dhe cilësinë e tenderit.

Ligji i prokurimit Publik përcakton kushte të tilla ku përveç të tjerave, thotë se Autoritetet Kontraktuese, mund të vendosin edhe për tenderin ekonomikisht më të favorshëm, por që rrallë herë përdoret, kjo pikë e nenit.

Organizatat që merren me monitorimit e prokurimit publik në vend, e shohin të nevojshme idenë e ristrukturimit të këtij kriteri, apo përgatitjen e një liste të çmimeve duke marrë për bazë edhe cilësinë e tyre.

Dhe pavarësisht çmimit që shpeshherë ndodh të jetë jo- normalisht i ulët, OJQ-të thonë se e gjitha në fakt është një trik i kurdisur, pasi Operatorët Ekonomikë, gjithmonë vënë çmimin e vogël për produktet që nuk janë primare për atë tender.

Sidoqoftë, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është ai që gjykon këto raste, dhe sipas një hulumtimi të fundit të kryer nga D+, ky institucion në periudhën dhjetor 2016 –shkurt 2017, ka mbajtur gjithsej 105 seanca, ku edhe ka shqyrtuar 119 ankesa.