Qytetarët e Kosovës nuk kanë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë, sipas një raporti të publikuar sot nga Drejtësia Sot.
Ndër të tjera, sipas të dhënave të raportit 63.7% të qytetarëve u besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika.
Këtë e ka bërë të ditur Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), përmes një konference për media në të cilën u shpalosën të gjeturat e botimit të gjashtë të “Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë, i njohur me emrin RoLPIK”.
Kjo konferencë u titullua “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve” për arsye se edhe edicioni i gjashtë i RoLPIK është bazuar në të dhënat e perceptimit qytetar mbi punën e institucioneve zbatuese të ligjit, në raportet vjetore të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës dhe në Ligjin për Buxhetin, duke bërë krahasime përgjatë viteve 2013-2019.
“Nga të dhënat e RoLPIK, Drejtësia Sot, ka vërejtur që përkundër agjendës “Drejtësia 2020” dhe procesit të Rishikimit Funksional - që të dyja të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim kryesor sigurimin e mbarëvajtjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi - më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë. Ndërsa, vetëm 30.7% të qytetarëve mendojnë se ka efekte pozitive në këtë aspekt”, thuhet në komunikatë.
Edhe
75% e qytetarëve thonë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji
Drejtësia Sot, përmes edicionit të gjashtë të RoLPIK ka ofruar të dhëna sipas ndarjes së indikatorëve: në perceptimin qytetar dhe në performancën e sistemit të drejtësisë. Perceptimi qytetar mbi institucionet e drejtësisë ndër vite, është trajtuar nga RoLPIK përmes indikatorëve si ndikimi politik, mitmarrja, raportimi dhe efektiviteti në luftën kundër korrupsionit.
Ndërsa performanca e sistemit të drejtësisë është trajtuar në bazë të efikasitetit, shkallës së mbipopullimit, ngarkesës së sistemit të drejtësisë, dhe alokimeve buxhetore.
Drejtësia Sot thotë se ka gjetur se sa i përket ndikimit politik në institucionet e drejtësisë, për vitin 2020, rreth 68.5% të qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 21.4% prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë.
“Duke bërë që përafërsisht 70% e popullsisë të besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia. Për më tepër, sipas të dhënave të raportit 63.7% të qytetarëve i besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika. Ndërsa institucionet me influencën më të vogël politike i konsiderojnë Policinë e Kosovës me 20.3% dhe EULEX-in me 13.9%. Për sa i përket mitmarrjes, RoLPIK ka vënë në pah se 48.1% të të anketuarve, besojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo dukuri”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se pavarësisht se në krahasim me vitin paraprak përqindja është ulur për 0.5%, perceptimi negativ mbetet mendim i shumicës. Ku institucionet më të prekura nga kjo dukuri sipas 59.5% të qytetarëve janë gjykatat dhe prokuroria, që në krahasim me vitin e kaluar kemi ulje të trendit për 4.7%.
Për më tepër, RoLPIK ka gjetur se sipas të anketuarve, Policia e Kosovës, sipas 48.1% të të anketuarve është institucioni më efektiv për luftimin e korrupsionit. Ndërsa gjykatat janë efektive në luftim të kësaj dukurie vetëm sipas 7.2% të qytetarëve, dhe prokuroria sipas 4.8% prej tyre.
Sa i përket vlerësimit të gatishmërisë së qytetarëve të Kosovës për të raportuar korrupsionin dhe veprat penale, Drejtësia Sot ka gjetur se ekziston një gatishmëri e madhe e qytetarëve për të raportuar atë, përkundër pakënaqësisë me punën e institucioneve në këtë drejtim.
Edhe
IKD: 57% e qytetarëve mendojnë se performanca në drejtësi s’ka ndryshuar
RoLPIK ka gjetur se 76.6% të qytetarëve do të ishin të gatshëm të raportonin në rast korrupsioni apo krimi, 7.4% më shumë se vitin e kaluar, ndërsa 16.7% të qytetarëve nuk kanë treguar gatishmëri për raportim.
Tutje, RoLPIK ka gjetur se si në vitet e kaluara edhe në këtë vit, 88.9% të qytetarëve së pari do të zgjidhnin të raportonin veprat penale në polici kurse në prokurori vetëm 1.2% prej tyre.
Indikatori i pavarësisë në vendimmarrje për vitin 2020, ka treguar se 40.9% qytetarëve e konsiderojnë Policinë e Kosovës si institucionin më të pavarur, ndërsa vetëm 17.5% e të anketuarve mendojnë se gjykatat mund të jenë të pavarura në ushtrimin e detyrës së tyre, sikurse edhe prokuroria me përqindje prej 14.9%.
Kurse sa i përket perceptimit të qytetarëve për ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve si shkelës të rregullave apo procedurave, vetëm 2.3% prej tyre kanë menduar se kjo gjithmonë ndodh, ndërsa 21% kanë qenë të mendimit se kjo nuk ndodh asnjëherë.
Sa i përket indikatorëve strukturor, të bazuara në punën e prokurorisë dhe gjykatave për vitin 2019, Drejtësia Sot ka gjetur se performanca e sistemit prokurorial, ka qenë më e larta rreth 153 % nga prokuroritë themelore ndërsa më të ulëta me 59% nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Të njëjtat të dhëna për gjyqësorin kanë treguar se efikasitet më të lartë në përfundimin e lëndëve kanë pasur gjykatat themelore. Kurse, Gjykata Supreme ka pasur performancën më të dobët në raport me gjykata e tjera të vendit. Së fundmi indikatori i buxhetit për vitin 2019 ka treguar se në Këshillin Prokurorial të Kosovës u ndanë rreth 14.2 milionë euro ndërsa për Këshillin Gjyqësor u ndanë 29.4 milionë euro.
Në krahasim me vitin e kaluar ka pasur rritje të përqindjes së buxhetit për KGJK-në dhe KPK-në, në raport me buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Edhe
KDI: Vetëm 10% e qytetarëve mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime
Në fund, Drejtësia Sot, gjatë konferencës ka bërë të ditur se këto janë vetëm disa nga indikatorët e edicionit të gjashtë të RoLPIK. Prandaj për të dhëna më të hollësishme rreth rezultateve të anketës dhe indikatorëve strukturor të performancës së sistemit të drejtësisë mund të vizitoni platformën e GLPS-së në Drejtësia Sot.
{gallery}