Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të përfundojnë konsituimin e organit ligjvënës edhe në përpjekjen e 33-të. Seanca ka vazhduar me pikën e rendit të ditës të përcaktuar nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, formimi i komisionit parlamentar për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Për të 25-tën herë, ka dështuar themelimi i këtij komisioni, pasi përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës. Në sallë kanë qenë të pranishëm 91 deputetë, për formimin komisionit kanë votuar 51 deputetë, kundër një e nuk ka pasur asnjë abstenim. Vazhdimi i radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00.
Dështimi i 33-të
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të përfundojnë konsituimin e organit ligjvënës edhe në përpjekjen e 33-të.
Seanca ka vazhduar me pikën e rendit të ditës të përcaktuar nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, formimi i komisionit parlamentar për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Për të 25-tën herë, ka dështuar themelimi i këtij komisioni, pasi përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.
Në sallë kanë qenë të pranishëm 91 deputetë, për formimin e Komisionit kanë votuar 51 deputetë, kundër një e nuk ka pasur asnjë abstenim.
Deputeti Veton Berisha sërish votoi kundër.
Vazhdimi i radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00.
Limaj: Kjo që po ndodh është skandaloze
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e ka quajtur skandaloze situatën aktuale politike në Kosovë, derisa iu bëri thirrje partive që të mblidhen të darkordohen për themelim të institucioneve.
Ai ka thënë para mediave të martën se liderët e partive duhet të përmbushin vullnetin e qytetarëve dhe t’i lënë egot e tyre. Limaj foli edhe për situatën në botë, ku tha se një shtet serioz “i përcjell zhvillimet”.
“Duhet së më parë të kemi institucione që Kosova të jetë partner i besueshëm për të dhënë përgjigje dhe si adresë për bashkëpunim në tema të ndryshme. Besoj se asgjë e re s’ka ndodhur, as atëherë e tash, s’i kuptojnë drejt mesazhet çka po ndodh në botë. Një shtet serioz i përcjell zhvillimet...Kjo është skandaloze çka po ndodh”, ka thënë Limaj.
Kreu i Nismës shtoi se qytetarët duhet të reflektojnë “dhe t’i ndëshkojnë të papërgjshmit”. Ai ka thënë se nëse partia e tij do të kishte më tepër deputetë, do ta zgjidhte situatën.
Peci e Murati kërkojnë reflektim nga opozita
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë thirrje për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kosova duhet t’i themelojë institucionet sa më parë. Një nga arsyet është se në procesin zgjedhor të 9 shkurtit Kosova i ka dhënë besimin më të madh në histori një subjekti politik dhe një koalicion në krye të cilit e ka drejtuar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Nuk ka pasur asnjëherë në historinë e Kosovës personalitet që ka marrë besim më të madh qytetar se Albin Kurti me datën 9 shkurt. Të gjithë duhet t’i thërrasim arsyes për nevojën që të kemi institucione, që të kemi një qeveri të mandatuar nga Kuvendi dhe të kemi konstituimin e Kuvendit sa më parë”, tha ai.
Ministri në detyrë, Hekuran Murati, tha se opozita duhet të reflektojë dhe të përmbushë detyrimin kushtetues për të votuar në seancat parlamentare..
“Janë mbi 20 seanca që opozita nuk voton, duke mos ushtruar vullnetin e tyre të lirë as për apo kundër. Presim që opozita të reflektojë, të kryejë obligimin kushtetues që është votimi, siç e dini deputetët në seancën konstituive janë të obliguar të votojnë. Vullneti i tyre i lirë është që të votojnë kundër apo të abstenojnë. Kemi tashmë mbi 20 seanca që deputetët e opozitës nuk votojnë dhe nuk ushtrojnë obligimin e tyre kushtetues”, tha Murati.
Tahiri: Opozita të angazhohet ta bëjë një qeveri pa Kurtin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka theksuar se Kosova duhet sa më shpejt të sigurojë formimin e një qeverie të re dhe të mos vazhdojë më me Albin Kurtin në krye të saj.
Ai ka deklaruar se kjo duhet të ndodhë për shkak të siç ka thënë “një rekord të dëmshëm që ka Kurti në raport me administratën e parë të Trump”.
“Kosova duhet që sa më shpejt të sigurohet që të ketë një qeveri të re dhe të mos vazhdojë më tutje Kurti. Kurti ka një rekord të dëmshëm në raport me administratën e parë të Trump. Nëse deri sot kemi pasur dyshime në atë se a duhet të vazhdojë apo jo, pavarësisht që ka dalë si parti e parë në zgjedhje, paralajmërimi i Trumpit na dërgon një mesazh të qartë se duhet të angazhohemi maksimalisht të gjitha partitë tjera që kemi qenë në opozitë, vendit t’i japim një qeveri të re pa përfshirjen e Albin Kurtit dhe të VV-së. Përfshirja e VV-së në raport me administratën e Trumpit do t’i bëjë dëm vendit tonë”, ka theksuar Tahiri para fillimit të vazhdimit të 33-të të seancës konstituive./EO