Miratimi i një draft-rezolute e cila i njeh krimet e Serbisë në Kosovë gati pas 20 vjetëve, po shihet si nismë e partive për interesa politike.
Ndonëse të gjitha subjektet u bashkuan rreth këtij qëllimi, një proces i tillë po konsiderohet i vonshëm dhe pa ndonjë pasojë juridike.
Si shumë të vonuar nismën e të parit të PDK-së, Kadri Veseli, e ka cilësuar edhe nënkryetari i tij, Arsim Bajrami.
Edhe pse thotë se kjo nismë është e ligjshme dhe normale, sipas Bajramit, ky proces do të mund të ishte e përfunduar shumë më herët.
“Ndonëse është një iniciativë e ligjshme dhe normale prapë është shumë e vonuar. Mendoj që një proces i tillë do të duhej të ishte i përfunduar shumë më herët sepse tani po bëhen 20 vjet që kur janë bërë këto krime, dhe nuk është dashtë me prit një kohë kaq të gjatë”, ka thënë ai.
Edhe
Nismat “e vonuara” për trajtimin e krimeve të Serbisë në Kosovë
Bajrami, duke folur për Koha.net, ka thënë se shpreson që kjo nismë të rezultojë në veprime konkrete.
Ndërkaq të zbehtë e sheh rolin e bashkësisë ndërkombëtare në gjithë këtë proces. Ai thotë se ajo nuk është fort e interesuar të merret me këtë pjesë të dhimbshme të historisë së Kosovës.
“Unë shpresoj që iniciativa që është duke u diskutuar në Institucionet e Kosovës, sidomos rezoluta që po pritet të finalizohet nga Kuvendi i Kosovës të rezultojë me një vendosmëri të sistemit gjyqësor të Kosovës, në rend të parë të organeve të Prokurorisë që të hapin rastet e krimeve të luftës, ndaj kryesve të këtyre krimeve qoftë edhe në mungesë, të shqiptojnë dënimet dhe ta kryejnë detyrën e tyre”, ka përfunduar Bajrami.
E, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, krejt këtë proces po e sheh si lojë politike.
Ai për Koha.net ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ka qenë pikërisht për të ndaluar krimet e Serbisë në Kosovë dhe në këtë drejtim nuk është e nevojshme t’i dëshmohet Bashkësisë Ndërkombëtare se janë ka kryer krime në Kosovë.
“Një iniciativë e tillë shihet si lojë politike e që në praktikë nuk prodhon asnjë pasojë juridike”, ka thënë ai.
Sipas tij, politika në Kosovë e ka obligim kushtetues, ligjor dhe moral për të vënë drejtësi në rastet e krimeve të luftës, duke hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar të gjithë ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Edhe
Miratohet rezoluta për të vërtetën e luftës
Ai tutje ka shtuar se institucionet e vendit për 20 vjet kanë gjykuar e dënuar krimet me grupe punuese por sipas tij puna ka mbetur e pazbatuar e si rrjedhojë e saj, kriminelëve u është ofruar amnisti e plotë.
“Fatkeqësisht që 20 vjet politika krimet e luftën i heton, gjykon dhe dënon me grupe punuese, me komisione ad-hoc, me rezoluta, deklarata politike, po që në praktikë neglizhon të përmbush mandatin duke iu ofruar amnisti të plotë krimineleve dhe shtetit serb”, ka thënë ai.
Por deputeti i LDK-së dhe anëtari i komisionit ad-hoc për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë, Armend Zemaj, ka thënë se shpreson që rezoluta do ta mbërrijë efektin politik dhe juridik në mënyrë që të njihen krimet e Serbisë në Kosovë.
Në një përgjigje për Koha.net, ai ka thënë se LDK-ja e ka mbështetur këtë iniciativë dhe janë duke dhënë propozimet e tyre.
“Nuk do të thotë se në pafundësi Kuvendi i Kosovës nuk duhet të ketë përgjigje për krimet dhe gjenocidin që ka ndodhë në vitet e ’90-ta në Kosovë. Besoj që efekti i saj do të jetë së pari efekt politik dhe në këtë rast mund të kalojë edhe në aspektin juridik për të insistuar që drejtësia në Kosovë ta thotë fjalën e vet për çdo krim që ka ndodh në atë periudhë nga serbët nën urdhrat e Milloesheviqit”, ka thënë ai.
Koha Ditore në numrin e sotëm ka publikuar Draft-rezolutën, një kopje të së cilës ka arritur ta posedojë. Në të thuhet se “Serbia duhet të pranojë kryerjen e gjenocidit gjatë periudhës 1998-1999 në Kosovë, të bashkëpunojë për dënimin e kriminelëve dhe t’i riparojë dëmet e shkaktuara nga gjenocidi”.
Edhe
Ish-ministri Bajrami kritikon ndërkombëtarët e institucionet ku shërbeu me vite edhe vetë
Kjo është përmbledhja e draft-rezolutës së përpiluar së fundi nga Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës rreth njohjes së gjenocidit të kryer nga shteti serb në vitet 1998-1999, shkruan sot “Koha Ditore”.
Draft-rezoluta, përmban faktet e krimeve serbe, bazën ligjore, dhe konstatimet. Ky dokument pritet të miratohet në Komision këtë javë dhe pastaj të përcillet për miratim në seancë plenare. Më shumë detaje rreth Draft-Rezolutës mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.