LAJMET E MBRËMJES

Ish-ministri Bajrami kritikon ndërkombëtarët e institucionet ku shërbeu me vite edhe vetë

Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në dënimin e krimeve të luftës, e institucionet e Kosovës në mbledhjen e fakteve dhe dokumentacionit për të provuar gjenocidin serb, ka thënë Arsim Bajrami gjatë promovimit të librit të tij me titull “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”. Bajrami ka qenë disa herë deputet e ministër, e ndërkohë edhe rektor i UP-së. Aktualisht është profesor në UP dhe anëtar i ASHAK-ut

Mbi 600 faqe përmbajtje të librit “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, me autor Arsim Bajramin, janë cilësuar fakte e dëshmi historike e juridike mbi veprimet gjenocidale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, në promovimin që të hënën është organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Për shumë vjet bartës i funksioneve publike - herë deputet e herë ministër, Bajrami ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në dënimin e krimeve të luftës e që, sipas tij, këtë e ka bërë me qëllim për të arritur efekte politike. Ai po ashtu ka fajësuar autoritetet e Kosovës që kanë dështuar në mbledhjen e fakteve dhe dokumentacionit për të provuar gjenocidin.

“Është obligim i shtetit të Kosovës, i cilësdo qeveri, që këtë çështje ta trajtojë me prioritet, nëse jo për qëllime politike atëherë me qëllim të ruajtjes së të vërtetës së historisë dhe parandalimit të rishkrimit të historisë, sepse aktualisht kemi një tendencë që të harrohet gjenocidi, të vendoset një baraspeshë midis krimeve të gjenocidit të Serbisë”, ka deklaruar Bajrami, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, është shprehur se libri ka arritur që të dokumentojë se gjenocidi serb ka ndodhur pa paralajmërim. Ajo foli edhe për qëllimet e librit.

“Qëllim madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që do të vijnë do të kenë përgjegjësi për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarave të gjenocidit të Serbisë në Kosovë që në mënyrë të përsëritur e ka përcjellë popullin tonë sidomos gjatë luftës së fundit duke e mbajtur shtetin serb ndërkombëtarisht përgjegjës për gjenocid, për krimin mbi krimet”, ka thënë Mushkolaj.

E Jusuf Bajraktari, njëri ndër recensentët, ka theksuar se libri ka tri qëllime kryesore. E para, sipas tij, të argumentojë ligjërisht se krimet e Serbisë në Kosovë plotësojnë 5 kriteret e Konventës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa e dyta të paraqesë argumente me fakte të gjenocidit serb.

“E treta, studimi synon të tregojë të vërtetën e luftës në Kosovë, duke provuar juridikisht ekzistencën e gjenocidit serb në Kosovë me qëllim të parandalimit dhe tendencën ndërkombëtare për mohimin dhe relativizmin e krimeve të gjenocidit”, kë thënë tutje Bajraktari.

Për aspektet e rëndësishme të librit foli edhe profesori i së drejtës penale ndërkombëtare, Ismet Salihu.

“Është me rëndësi të veçantë në këto tri aspekte: në aspektin juridik penal, në aspektin historik kushtetues dhe në aspektin kombëtar”, u shpreh Salihu.

Ngritja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë ishte premtim elektoral i kryeministrit Albin Kurti, por dy vjet pas marrjes së pushtetit kjo nuk ka ndodhur. E për këtë ka pasur edhe reagime nga pala serbe, ku presidenti Aleksandër Vuçiq pati thënë se padinë mund ta bëjë vetëm Shqipëria që është pjesë e OKB-së dhe jo Kosova.