Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dorëheqjet ‘fiktive’ të ministrave të Listës Serbe

Lista Serbe, edhe pse ka hequr dorë nga shpallja e njëanshme e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk ka ndryshuar qëndrim kur është në pyetje përfaqësimi në institucionet e Kosovës.

Ministrat e saj, janë në dorëheqje, por ata kryejnë aktivitetet e tyre, kurse nuk marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës. Përderisa deputetët e Listës kanë kaluar në opozitë.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se pjesëmarrja e Listës Serbe në punën e institucioneve do të sqarohet shumë shpejt.

Igor Simiq, deputet nga radhët e Listës Serbe thotë se deputetët e Listës vazhdojnë të punojnë nga tabori opozitar, kurse ministrat janë në dorëheqje.

“Qëndrimi i Listës Serbe nuk ka ndryshuar që nga ai moment kur kemi marrë vendimin që ministrat të largohen nga qeveria, në kuptimin që ata të mos marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë dhe të jenë vetëm në kapacitetet teknike, kurse deputetët të veprojnë si opozitar. Do të thotë, asgjë nuk ka ndryshuar në punën e Listës Serbe që nga momenti kur kemi marrë vendim për tërheqje”, tha Simiq, për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Qeveria thotë se Lista Serbe s’është larguar përfundimisht Arbëri Qeveria thotë se Lista Serbe s’është larguar përfundimisht

Lista Serbe ka tre ministra, njëri prej tyre edhe në postin e zëvendëskryeministrit, mbanë disa poste të zëvendësministrave dhe ka 10 deputetë në Kuvend.

Ky subjekt politik vendosi të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës në fund të marsit, pas arrestimit të drejtorit të Zyrës koordinuese për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Gjuriq ishte burgosur dhe më pas dëbuar, ngase kishte hyrë në Mitrovicë për të realizuar vizitën, pa lejen e institucioneve të Kosovës.

Pas këtij zhvillimi, Lista Serbe kishte paralajmëruar shpalljen e njëanshme të Asociacionit, për datën 20 prill, nëse deri atëherë Qeveria e Kosovës nuk do të fillonte me procesin e formimit.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një dakordimi paraprak edhe me presidentin Hashim Thaçi, vendosi të aktivizojë punën e Ekipit Drejtues për hartimin e statutit të Asociacionit. Ky Ekip ka një afat prej katër muajve që ta përfundojë punën, çka është konfirmuar edhe nga një komunikatë e lëshuar nga Bashkimi Evropian, si lehtësues në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Të enjten, përfaqësuesit e Listës Serbe thanë se do të presin dhe respektojnë këtë afat, duke anuluar veprimet e njëanshme.

Pavarësisht vendimit të Listës Serbe, kryeministri Ramush Haradinaj, më 11 prill tha se nuk e pranon largimin e Listës nga qeveria dhe kishte kërkuar që të fillonte dialogun me këtë subjekt politik. Oferta e Haradinajt ishte pranuar në parim nga Lista Serbe, por dialogu nuk ka ndodhur ende.

Edhe Largimi i Listës Serbe s’e pengon funksionimin e institucioneve, por shkel Kushtetutën Arbëri Largimi i Listës Serbe s’e pengon funksionimin e institucioneve, por shkel Kushtetutën

Sipas Haradinajt, edhe pse Lista Serbe nuk është aktive në qeveri, ajo në shumë raste është përgjigjur duke kryer obligimet që i ka në përgjegjësi.

Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet për rolin aktiv të Listës Serbe në qeveri ende zhvillohen dhe se javët e ardhshme, sipas tij, kjo çështje do të sqarohet, përkatësisht zgjidhet.

Ndërkohë, ministrat e Listës Serbe janë parë në terren duke kryer detyrat e tyre, edhe pse janë në dorëheqje. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo të enjten vizitoi prodhuesit bujqësor në rajonin e Junikut së bashku me ambasadorin amerikan dhe atë hungarez.

Kurse ministri për Komunitete dhe Kthim, Dallibor Jevtiq i vazhdon takimet dhe në faqen e internetit të ministrisë nuk figuron askund që ai është në largim apo dorëheqje.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Ranxhell Nojkiq, dikur deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se dorëheqjet e ministrave janë fiktive, ngase ata vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre dhe shfrytëzojnë përfitimet që u sjellin institucionet e Kosovës.

Edhe Shoqëria civile thotë se largimi i Listës Serbe nga koalicioni paralizon Qeverinë Arbëri Shoqëria civile thotë se largimi i Listës Serbe nga koalicioni paralizon Qeverinë

“Po të ishin ata në ulëset e opozitës, ata do të vepronin në këtë mënyrë: Do të thoshin, ju lutem po e vënë në votim votëbesimin e qeverisë dhe të shohim se a e ka qeveria shumicën apo jo”, thotë Nojkiq.

Një sjellje e tillë e Listës Serbe, sipas tij, është më shumë një përpjekje për t’u hedhur hi syve serbëve që jetojnë në Kosovë.