Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) ka shpalosur planin për monitorimin e fushatës zgjedhore e cila zyrtarisht fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021, si dhe të gjeturat nga monitorimi i debateve televizive gjatë dy javëve të fundit të parafushatës.
Eugen Cakolli njoftoi se DnV ka angazhuar 16 vëzhgues afatgjatë për të vëzhguar në baza ditore aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe disa komuna të banuara me shumicë serbe. Ndonëse subjektet politike dhe kandidatët e tyre përdorën “parafushatën” për takuar strukturat dhe simpatizantët e tyre dhe për t’i bërë publike e ofertat e tyre politike, DnV në periudhën dhjetë-ditore të fushatës zyrtare zgjedhore do të vazhdojë të fokusohet në monitorimin e aktiviteteve të tyre zgjedhore në mediat tradicionale dhe rrjete sociale.
Me qëllim të rritjes së transparencës në financimin e fushatave të subjekteve politike, DnV u ka dërguar të gjitha subjekteve politike një pyetësor përmes të cilit synohet të merren informata mbi shpenzimet që subjektet politike planifikojnë të bëjnë gjatë fushatës zgjedhore.
“Sikurse në çdo palë zgjedhje, DnV ripërsëritë thirrjen për subjektet politike që të respektojnë tavanin e shpenzimeve të vendosur nga KQZ, duke apeluar që raportet financiare të reflektojnë edhe shpenzimet që tashmë subjektet politike i kanë bërë gjatë parafushatës. DnV po ashtu kërkon nga subjektet politike që të deklarojnë edhe shpenzimet e bëra nga kandidatët e tyre dhe që ato të jenë subjekt i tavaneve të përcaktuara me ligj. Duke i bërë kuletat e tyre transparente për publikun, subjektet politike do të demonstrojnë gatishmëri për të qeverisur me integritet dhe në mënyrë transparente”, thuhet në njoftim.
Duke qenë se rregullativa zgjedhore kërkon që fushata zgjedhore të zhvillohet mbi premisat e një gare të barabartë dhe duke shmangur gjuhën denigruese, DnV kërkon që gara zgjedhore të zhvillohet në frymë të qetë dhe që në thelb te jetë konkurruese.
“Në këtë drejtim, vlen të përmenden incidentet e raportuara gjatë vizitës së U.D. të Presidentit, Vjosa Osmani, dhe Albin Kurtit si kandidat për kryeministër nga radhët e LVV, në pjesën veriore të vendit dhe në Komunën e Mitrovicës së Jugut, si dhe gjatë vizitës së djeshme e këtij të fundit në komunën e Skenderajt. DnV i vlerëson këto incidente si krejt të papranueshme dhe të dënueshme, dhe rithekson që të gjitha subjektet politike, pavarësisht etnisë̈ apo orientimit politik, kanë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe bërjes fushatë në çdo pjesë të vendit. Prandaj, duhet që qytetarët të përmbahen nga çfarëdo veprimi të dhunës që mund të pengojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Sipas KDI-së, qytetarët më shumë se kurrë kanë nevojë t’u ofrohen platforma të qarta politike në mënyrë që ata të marrin vendime mbi baza të programeve dhe ofertave politike.
DnV thotë se ka evidentuar shumë aktivitete zgjedhore të cilat janë zhvilluar pa përfilljen e masave anti-Covid, gjë që përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve.
“Prandaj, DnV kërkon nga subjektet politike që ti respektojnë kufizimet mbi numrin e pjesëmarrësve në tubime, si dhe të konsiderojnë përdorimin e teknologjisë informative për zhvillimin ‘online’ të fushatës, për aq sa është e mundur. Ndërsa, nga institucionet përkatëse, sidomos ato të nivelit lokal, u kërkua që të ndiqet shembulli i komunës së Prishtinës, dhe të shqiptohen gjoba ndaj të gjitha subjekteve politike në rast të mosrespektimit të masave kundër përhapjes së Covid-19. Amnistimi i partive politike për mosrespektim të masave, mund të kushtojë me rritje të infeksioneve, mbingarkesë të shërbimeve shëndetësore e humbje të jetëve”, thuhet në njoftim.
Legjislacioni në fuqi ndalon gjithashtu dhe përdorimin e resurseve publike, financiare dhe njerëzore për qëllime të fushatës, pasi që përdorimi i tyre krijon avantazh të dallueshëm dhe çrregullon parimin e garës së barabartë në mes të subjekteve. Andaj DnV kërkon nga subjektet politike, posaçërisht ato në pushtet, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, që të mos e shfrytëzojnë resurset publike.
“DnV iu rikujtoi subjekteve politike garuese në këto zgjedhje që të respektojnë parimin e barazisë gjinore duke ofruar hapësirë të barabartë për gratë kandidate për të shpalosur idetë e tyre, duke iu ofruar qasje të barabartë në financa të subjekteve politike, për një garë zgjedhore të barabartë. Puna e trupave menaxhuese të zgjedhjeve, u vlerësua relativisht efikase, me përmbylljen e shumicës së aktiviteteve brenda afateve të parapara. Sa i përket çështjes së certifikimit të kandidatëve, DnV vlerëson që PZAP dhe Gjykata Supreme është dashur që të obligojë subjektet politike, kandidatëve të së cilave nuk u është lejuar garimi, që t’i rirendisin kandidatët e mbetur, bazuar edhe në kërkesën ligjore për praninë e një kandidati të kundërt në çdo treshe të kandidatëve”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, për operacionin e votimit jashtë vendit, u tha se KQZ, pavarësisht shtimit të ndjeshëm të kapaciteteve, nuk ka arritur ta përmbyllë në kohë verifikimin e votuesve përmes telefonatave, për shkak edhe të fluksit shumë të madh të votuesve. Prandaj, sipas DnV-së, KQZ-ja duhet të vijojë me verifikimin e të gjithë votuesve jashtë vendit që kanë aplikuar brenda afatit ligjor, por duke u kujdesur që ky proces të mos krijojë implikime në operacionet tjera zgjedhore.
-
DnV-ja fton partitë të respektojnë standardet e garës dhe të fokusohen në debat përmbajtësor
-
DnV: Në mosrespektimin e masave gjatë fushatës ndikuan inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve
-
Mbi 16 mijë vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet
-
DnV: Fushata u zhvillua e qetë, por me mungesë të debatit për politika konkrete
-
DnV-ja evidenton gjuhë të urrejtjes, pabarazi gjinore e dominim të liderëve në ditët e para të fushatës